Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha sot se sulmet ruse në Kiev mbrëmë, të cilat goditën zonat civile dhe misionin diplomatik të BE-së në Kiev dhe vranë të paktën 18 persona, tregojnë se Presidenti rus Vladimir Putin është gati të vazhdojë luftën.
“Jemi të gjithë të tronditur nga ajo që ndodhi, para së gjithash sepse këto janë sulme që nuk janë kundër objektivave ushtarake; këto janë objektiva civile. Ndërsa po përpiqemi të bëjmë gjithçka për të mbështetur Presidentin e SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund kësaj lufte, ndërkohë, Presidenti rus Putin është gati ta vazhdojë atë, të vazhdojë të sulmojë civilët e pafajshëm në Ukrainë”, tha ai në një konferencë për shtyp në qytetin gjerman të Würzburgut.