Rindërtimi i Ukrainës, mundësi e re për kompanitë maqedonase të ndërtimit

Përderisa bisedimet për paqe në Ukrainë po intensifikohen, edhe kompanitë ndërkombëtare po synojnë të përfitojnë nga fondet e mëdha për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Mes tyre janë edhe ndërmarrjet maqedonase të ndërtimit, të cilat janë gati të ofrojnë punëtorë dhe mekanizëm për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.

I kontaktuar nga portali “Sloboden Peçat”, Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës së Ndërtimtarisë (SIG), tha se kjo do të jetë një tjetër dëshmi e aftësive dhe përvojës së gjatë të ndërtuesve maqedonas, të cilët kanë lënë gjurmë në projekte në Iran, Irak, Kuvajt, Bosnjë-Hercegovinë e Ukrainë, përcjell PressOnline.al.

“Dora e ndërtuesve maqedonas ka lënë gjurmë të rëndësishme në shumë objekte nëpër botë. Përvoja dhe kapaciteti ynë janë të vërteta, prandaj edhe sot punojmë me sukses jashtë vendit,” tha Peshevski, duke shtuar se marrëdhënia personale me sindikatin ukrainas mund të ndihmojë në sigurimin e projekteve të reja në këtë treg.

Andreja Serafimovski, kryetar i Grupacionit të Ndërtimtarisë pranë Sektorit të Kompanive të Madhësisë së Mesme (SKSM), nënvizoi se mbajtja e kuadrit dhe konkurrueshmëria e kompanive vendase janë prioritet. “Vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për zhvillimin e ndërtimtarisë maqedonase. Kompanitë dhe inxhinierët tanë duhet të përfshihen jo vetëm në projekte vendase, por edhe në tregjet e huaja,” tha ai.

Ndërkohë, interes për bashkëpunim me kompanitë maqedonase kanë shfaqur edhe disa kompani japoneze, të cilat planifikojnë të përfshihen në rindërtimin e Ukrainës, në partneritet me ndërtuesit vendas, financuar edhe nga bankat e mëdha japoneze.

Sidoqoftë, statistikat tregojnë se aktiviteti i ndërtuesve maqedonas jashtë vendit ka rënë këtë vit me 55.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, Gjermania mbetet destinacioni kryesor, ndjekur nga Çekia, Shqipëria dhe Danimarka. (PressOnline.al)