Rënie drastike e numrit të nxënësve në shkollat e Shqipërisë, 11 mijë më pak

Në bankat shkollore në Shqipëri çdo ditë e më tepër po pakësohet numri i nxënësve.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se rreth 11 mijë fëmijë munguan vitin shkollor që mbyllëm krahasuar me atë të një viti më parë.

Uljen më të ndjeshme e ka përjetuar arsimi bazë. Rreth 7 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe 2565 gjimnazistë më pak kishte në bankat e shkollës në 2025, krahasuar me vitin e shkuar.

“Nëse e intepretojmë automatikisht lidhet me impaktin se sa fëmijë kanë ardhur në jetë në 10 vjecarin e fundit dhe cili është largimi i popullsisë në këto zona, sepse ndryshon periferia me Tiranën. Fakti që kemi uljen më të madhe në arsimin 9-vjeçar, është ajo që lexon pikërisht pasojën pse ne nuk kemi më të paktën dy fëmijë për familje? Pra drejtpërdrejtë e lidhur me mungesën e politikave sociale mbështetëse dhe financiare për ciftet e reja. Ndërkohë presim kur vjen dita e shkollës e themi jemi pa fëmijë!”, tha Suela Kocibellinj-eksperte edukimi

Rënia e regjistrimeve në shkolla më 2.6% përllogaritur më vitin e kaluar duke shkuar numri në total në gati 406 mijë, në vlerësimin e ekspertes së edukimit Suela Koçibellinj është rezultat i nënvlerësimit të shifrave të pakësimit të fëmijëve ndër kohë, duke pasur edhe mungesë të një strategjie të dedikuar mbi këtë fenomen.

Shqetësuese janë edhe masat e ndërmarra për bashkimin e shkollave 9 vjeçare me të mesme për shkak të rënies së numrit të nxënësve, duke shkaktuar mbyllje të institucioneve arsimore kryesisht në zona rurale…

“Mbyllja e një shkolle dhe e një qëndre shëndetësore është domethënie shumë e madhe për shuarjen e atij komuniteti”./TCH