Provokim pas provokimi: Ku dëshiron të dalë VMRO-DPMNE?

Të shtunën në Kumanovë, në prani të kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u lëshuan thirrje të rënda raciste dhe antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, shkruan Flaka. Salla e saporikonstruktuar sportive u shndërrua në skenë të urrejtjes, ku u dëgjuan slogane si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”.

Ajo që ka shkaktuar tronditje të thellë në opinion është heshtja totale e kryeministrit Mickoski, i cili jo vetëm që nuk u distancua nga thirrjet, por zgjodhi të lavdërojë atmosferën, duke e përshkruar ndeshjen si “një luftë për ngjyrat”.

“Kjo ndeshje ishte më shumë se një rezultat – ishte një luftë për ngjyrat që i mbani, për emrin që e mbroni dhe për popullin që qëndron pas jush me dashuri dhe respekt,” shkroi Mickoski në Facebook, pa përmendur asnjë fjalë për thirrjet e urrejtjes që ndodhën para syve të tij.

Provokimet nuk përfunduan me këtë. Në vazhdim, një tjetër figurë e lartë e së djathtës maqedonase, Ilija Dimovski, ish-deputet dhe funksionar i VMRO-DPMNE-së, përmes një postimi për Ditën e Ilindenit, bëri thirrje për një Maqedoni “të bashkuar”, duke e vendosur në pikëpyetje situatën aktuale të shtetit.

“Në atë ditë kur Maqedonia do të jetë Maqedoni, atëherë do të festojmë. Sot, mundemi vetëm të përkujtojmë. Përkujtojmë sepse liria nuk është punë e përfunduar,” shkroi Dimovski.

Ai shtoi më tej:

“Rroftë Maqedonia e bashkuar në një Evropë të bashkuar! Qoftë i përjetshëm ideali për lirinë e Maqedonisë! I përjetshëm qoftë Ilindeni!”

Ky lloj fjalori – i koduar, por i ngarkuar me tone etnonacionaliste – vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndëretnike janë të tensionuara dhe kur thirrjet publike për “Maqedoni të pastër” dhe eliminim të elementit shqiptar po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh në opinion është: Ku dëshiron të dalë VMRO-DPMNE?

A është kjo pjesë e një strategjie politike për të mobilizuar elektoratin nacionalist në prag të zgjedhjeve lokale dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga sfidat reale të qeverisjes? Apo është më shumë se kaq – një sinjal i rrezikshëm për kursin që kjo parti mund të ndjekë në drejtimin e shtetit?

Një gjë është e qartë: heshtja përballë urrejtjes është një akt politik. Dhe kur kjo heshtje vjen nga maja e shtetit, ajo nuk është më neutrale – është bashkëfajësi. Flaka