Projekti ReLOaD, i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNDP, prezanton komunat partnere për fazën e tij të tretë
Partneritete të reja komunale dhe një platformë pune u prezantuan në kuadër të Programit Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD3).
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, UNDP në Kosovë dhe komunat partnere të përzgjedhura u mblodhën sot për të krijuar një platformë bashkëpunimi për hapat e ardhshëm. Takimi shërbeu si një platformë pune për të prezantuar objektivat e ReLOaD3, strukturën e bashkëpunimit të planifikuar dhe pritjet nga komunat partnere të përzgjedhura, si dhe për të shënuar zyrtarisht fillimin e partneriteteve të reja.
“Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të madhe qeverisjes së mirë lokale si një shtyllë kyçe e zhvillimit demokratik. Besimi tek institucionet publike fillon në nivelin lokal—aty ku politikat shndërrohen në shërbime dhe ku qytetarët ndërveprojnë drejtpërdrejt me ata që i përfaqësojnë. Përmes ReLOaD3, ne po forcojmë transparencën, llogaridhënien dhe pjesëmarrjen e publikut nëpër komuna të Kosovës.” – Johannes Madsen, Shef i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë.
Takimi fillestar ripotencoi angazhimin e përbashkët për një qasje gjithëpërfshirëse dhe të orientuar nga njerëzit. Z. Nuno Queirós, Përfaqësues Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, theksoi fuqinë e bashkëpunimit:
“Siç u dëshmua në fazat e mëparshme të ReLOaD, bashkëpunimi i ngushtë me komunat ka qenë vendimtar për të adresuar me sukses nevojat e secilës nga komunitetet e synuara. Kemi treguar se kur qeveritë lokale dhe organizatat e shoqërisë civile punojnë ngushtë së bashku, mund të presim një ndryshim pozitiv të dukshëm në jetën e njerëzve.”
Kjo u përforcua më tej nga z. Drin Haraqia nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili vuri në dukje se:
“ReLOaD tregon se qeverisja efektive funksionon në të dy drejtimet – nga lart-poshtë dhe nga poshtë-lart, duke u bazuar në nevojat dhe idetë reale të komuniteteve tona.”
Duke përqafuar këtë vizion, z. Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, theksoi se:
“ReLOaD3 është i përkushtuar në forcimin e qeverisjes lokale dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve përmes ndërtimit të partneriteteve të forta dhe të qëndrueshme midis institucioneve dhe shoqërisë civile—duke vendosur gjithmonë njerëzit në radhë të parë.”
Pas një procesi rigoroz përzgjedhjeje, ReLOaD3 ka përcaktuar si komuna partnere: Gllogoc/Glogovac, Gjakovë/Đakovica, Malishevë/Mališevo, Vushtrri/Vučitrn dhe Istog/Istok. Memorandumet e Mirëkuptimit u nënshkruan zyrtarisht sot, duke shënuar fillimin e bashkëpunimit për periudhën e zbatimit 2025–2029.
ReLOaD3 do të mbështesë komunat partnere në ndarjen e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse. Ashtu si në fazat e mëparshme (ReLOaD1 dhe ReLOaD2), programi do të vazhdojë të ndërtojë kapacitetet lokale dhe të promovojë një mjedis ligjor e financiar më të favorshëm për shoqërinë civile. Projekti do të inkurajojë angazhimin e komunitetit, do të forcojë ofrimin e shërbimeve lokale dhe do të mbështesë ndërhyrje të përshtatura me prioritetet lokale.
Gjatë ReLOaD3, të paktën 25 nisma të udhëhequra nga OSHC-të do të zbatohen nëpër komunat partnere dhe do të përfshijnë rreth 3,500 banorë me një gamë të gjerë shërbimesh dhe iniciativash.
Ngjarja e fillimit të projektit mblodhi përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, si dhe nga shoqëria civile.
Programi Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor 3 financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP.