Policia sekuestron pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Zubin Potok.

Në njoftimin e bërë për media, thuhet se Policia e Kosovës, gjatë aktiviteteve të saj policore në fshatin Qabër, komuna e Zubin Potokut, ka hasur në pajisje që shërbejnë për prodhimin e kripto-valutave.

“Në një objekt përcjellës të një shtëpie, policia ka gjetur dhe sekuestruar 13 pllaka kompjuterike (riga) dhe pajisje të tjera përcjellëse që përdoren për prodhimin e kripto-valutave. Për sekuestrimin e këtyre pajisjeve është njoftuar Dogana e Kosovës, e cila do të ndërmarrë hapat e mëtejmë ligjorë në lidhje me rastin”, bëhet e ditur në njoftim.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të raportojnë çdo veprimtari të paligjshme, në numrin pa pagesë 192.

“Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për parandalimin, luftimin dhe zbulimin e veprimtarive të jashtëligjshme”, thuhet tutje në komunikatë.