Përplasja mes Rabiot dhe Rowe alarmojnë klubet e Serie A

Klubet e Serie A janë vënë në alarm pasi Roberto De Zerbi ka përjashtuar nga skuadra e Olympique Marseille Adrien Rabiot, i lidhur me Milanin, dhe Jonathan Rowe, i ndjekur nga Roma, Atalanta dhe Bologna.

Dyshja raportohet se u përplasën në dhomat e zhveshjes pas humbjes në ndeshjen hapëse të Ligue 1, një sjellje që e ka zemëruar trajnerin italian.

Situata duket e pashmangshme, pasi të dy munguan edhe në stërvitjen e sotme dhe, sipas raportimeve, u është bërë e qartë se duhet të gjejnë klub tjetër.

Rabiot dhe Rowe të përjashtuar nga Marseille

Në rastin e ish-mesfushorit të Juventusit, Rabiot, lajmi është konfirmuar nga nëna e tij, Veronique, e cila i tha RTL dhe L’Équipe se De Zerbi nuk e dëshiron më francezin në klub për shkak të “mungesës së investimit emocional” në kauzën e klubit.

Rabiot është lidhur me një rikthim të mundshëm në Serie A, te Milani, ku do të ribashkohej me trajnerin e tij të dikurshëm Max Allegri. Megjithatë, kjo lëvizje është e komplikuar pasi kuqezinjtë kanë blerë këtë verë Luka Modric, Samuele Ricci dhe Ardon Jasharin.

Ndërkohë, për Rowe ka interes të madh nga Serie A, përfshirë Romën, Atalantën dhe Bolognën.

Roma e sheh atë si një alternativë ndaj Jadon Sancho-s, me një pagë dukshëm më të ulët sesa ylli i Manchester United.