Përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut, të shkaktuara nga shirat e dendur të musoneve, kanë vrarë të paktën 194 persona në Pakistan dhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani gjatë 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale të menaxhimit të fatkeqësive.
Rajoni më i prekur është Khyber Pakhtunkhwa, një zonë malore në Pakistanin verior, ku janë regjistruar 180 vdekje, janë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe janë kryer operacione intensive shpëtimi.
Gjatë një prej tyre, një helikopter M-17 u rrëzua për shkak të motit të keq, duke marrë jetën e pesë anëtarëve të ekuipazhit.
Ndërkohë, nëntë persona humbën jetën në Kashmirin e administruar nga Pakistani, dhe pesë të tjerë në Gilgit-Baltistan.
Në fshatin Salarzai Tehsil të distriktit Bajaur, përmbytjet lanë pasoja të rënda në njerëz dhe banesa.
Kryeministri i Khyber Pakhtunkhwa, Ali Amin Gandapur, konfirmoi rrëzimin e helikopterit gjatë një fluturimi shpëtimi në Bajaur, një rajon në kufi me Afganistanin.
Autoritetet kanë shpallur gjendje katastrofe në disa rajone, ndërsa parashikuesit e motit paralajmërojnë për reshje të dendura deri më 21 gusht, veçanërisht në pjesën veriperëndimore të vendit.
Ndërkohë, në pjesën e Kashmirit të administruar nga India, një përmbytje masive goditi një fshat në Himalaje, duke shkaktuar të paktën 60 viktima dhe duke zhdukur dhjetëra banorë të tjerë.