Për “BOTËN SERBE” në Maqedoninë e Veriut

Në këtë kohë të globalizimit të hovshëm, është shumë normale që kapitali të lëvizë në formë investimesh apo tregtie. Megjithatë, shqetësimi rritet kur ky aktivitet ekonomik është i karakterit strategjik – që mundëson rritjen e ndikimit dhe përcaktimin e dinamikave apo agjendave të një vendi tjetër. Pikërisht këtu, pra te strategjia, bëhet dallimi midis ndikimit dashamirë (konstruktiv) dhe atij dashakeq (malinj apo destruktiv).

Shkruan: Xhelal Neziri

Një donacion për gjimnazin e Tetovës nga kompania “Unipromet” nga Çaçaku, e cila nga viti 2023 ka hapur përfaqësinë e saj në Shkup, ka ngjallur debate te kampi politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për dhurimin e 800 mijë eurove për rinovimin e gjimnazit të Tetovës, përkatësisht të objektit ku më herët ka funksionuar shkolla e mesme e mjekësisë. Objekti është ndërtuar në vitin 1913, pra menjëherë pas Luftës së Parë Ballkanike, kur Tetova dhe Maqedonia e Veriut nga administrimi i Perandorisë Osmane kaluan në pushtimin e Mbretërisë Serbe. Gjimnazi i ri i Tetovës, i ndërtuar në vitin 1947, është vetëm disa dhjetëra metra larg këtij objekti. Për shkak të tensioneve midis nxënësve dhe mungesës së hapësirës, nga viti 2018 objekti u përshtat për paralelet në gjuhën maqedonase.

Përveç se në Tetovë, kompania “Unipromet” në maj të këtij viti ka dhuruar 4 minibusa për të transportuar nxënësit nëpër shkolla. E themeluar në Çaçak të Serbisë në vitin 1989 nga Milisav Noviçiq, kompania tashmë është bërë një markë e njohur në prodhimin e produkteve metalike, duke përfshirë pajisje për sigurinë rrugore si mbrojtëset anësore dhe barrierat kundër zhurmës. Materialet e saja i eksporton në Gjermani, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe së fundmi edhe në Maqedoninë e Veriut. Konkretisht, në vitin 2024 kompania ka nënshkruar një nga kontratat më të mëdha në historinë e saj, duke u bërë partneri strategjik kryesor në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër – një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, pjesë e Koridorit 8. Në kuadër të marrëveshjes, “Unipromet” do të furnizojë dhe instalojë rreth 300 kilometra mbrojtëse rrugore dhe 3 kilometra barriera për këmbësorë përgjatë pesë segmenteve kryesore të kësaj rruge. Puna në projekt ka filluar tashmë, dhe përfundimi i të gjitha punimeve është planifikuar deri në fund të vitit 2026.

A është donacioni ndikim?

Në këtë kohë të globalizimit të hovshëm, është shumë normale që kapitali të lëvizë në formë investimesh apo tregtie. Megjithatë, shqetësimi rritet kur ky aktivitet ekonomik është i karakterit strategjik – që mundëson rritjen e ndikimit dhe përcaktimin e dinamikave apo agjendave të një vendi tjetër. Pikërisht këtu, pra te strategjia, bëhet dallimi midis ndikimit dashamirë (konstruktiv) dhe atij dashakeq (malinj apo destruktiv). Orientimi strategjik i Maqedonisë së Veriut, i vendosur në themelet e shtetit që në vitin 1992, përbëhet nga dy pika: e para është anëtarësimi në NATO dhe e dyta në BE. Është orientimi i partnerit strategjik, pra NATO, pika me të cilën Shkupi dhe Beogradi ndajnë rrugët. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka zgjedhur të jetë nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, bashkë me 31 anëtarë të tjerë që përbëjnë Perëndimin, Serbia ka zgjedhur një bashkëpunim të ngushtë në këtë sferë me Rusinë dhe Kinën. Ndikimi serb në këtë çështje shumë të ndjeshme ka bërë që në Bruksel të lëshohet alarmi, i cili ka marrë formën e shkruar në Raportin e fundit të Parlamentit Evropian, ku si shqetësim përmendet prania e “botës serbe” në Maqedoninë e Veriut.

Në fakt, Serbia e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë të sferës së saj të ndikimit të fuqishëm. Kjo bindje bazohet në pretendimet për legjitimitet historik, që nga koha e Car Dushanit në shekullin e 14-të, e më vonë edhe nga Kongresi i Berlinit në vitin 1878, kur pjesa e Vardarit të territorit të quajtur Maqedoni i takoi Serbisë. Pjesë e Serbisë është llogaritur deri në vitin 1944. Maqedonia fitoi statusin e një republike pas Luftës së Dytë Botërore, kur Tito kërkonte të mbajë larg bullgarët dhe të cungojë serbët. Nga këtu u formua republika e Maqedonisë si pjesë e barabartë e federatës, por nuk u përmbyll procesi i formimit të Kishës Autoqefale, si shtyllë identitare etnike. Në vitin 2022, duke shfrytëzuar revoltën ndaj Bullgarisë e krijuar nga bllokada e Sofjes që Shkupi të vazhdojë negociatat anëtarësuese për në BE, Kisha Serbe (KOS) u pajtua të njohë Kishën Ortodokse Maqedonase (KOM-DO), por me një kusht: të ndryshohet emri i saj duke përfshirë edhe Dioqezën e Ohrit. Ky veprim taktik i diplomacisë kishtare të KOS nuk kishte për qëllim vetëm ofrimin e një “krahu të ngushëllimit” për popullin maqedonas, por edhe zhvendosjen e çështjes së autoqefalisë apo pavarësisë së KOM-DO nga Patriarkati i Kostandinopojës në Patriarkatin e Moskës.

Për dallim nga reagimet e ashpra anti-greke dhe anti-bullgare, – që burojnë nga kushtëzimi i Athinës me ndryshimin e emrit për integrim në NATO dhe së fundmi nga ai i Sofjes me ndryshimin e historisë për integrim në BE, – nuk është regjistruar ndonjë reagim i ngjashëm për shkak të ndryshimit të emrit të kishës nga KOM në KOM-QA. Edhe ky ndryshim përfshin një ndërhyrje në identitetin etnik maqedonas, pasi fshin pretendimin se Dioqeza e Ohrit është pjesë e trashëgimisë historike e shpirtërore të popullit maqedonas. Pra, ky kompromis do të thotë heqje dore nga ekzistimi i Dioqezës së Ohrit nga shekulli i 10-të e deri në shekullin e 18-të, ndërkohë që KOM pajtohet me historinë e ekzistencës së saj nga themelimi në vitin kur shpalli pavarësinë nga KOS. Pra, Dioqeza e Ohrit me ndryshimin e emrit të vitit 2022 i pranohet si trashëgimi kulturore që është pjesë e KOS, dhe kështu bëhet bashkëthemeluese e një kishe të re në Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo kalon pa shumë bujë, protesta apo reagime… siç i kemi parë në rastet e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë (2018) apo të Propozimit Francez (2022), që buron nga Traktati i Miqësisë së Mirë me Bullgarinë.

Përveç ndikimeve nëpërmjet kishës, ndikimet e Serbisë në Maqedoninë e Veriut janë të fuqishme edhe në disa dimensione të tjera, ku janë shumë shtresore. Serbia është partneri i 4-t më i rëndësishëm tregtar i vendit, menjëherë pas Gjermanisë, Britanisë dhe Greqisë, dhe para Bullgarisë që është e 5-ta. Që nga pavarësia e vendit, sipas shumës së investuar, Serbia është në vendin e 9-të, menjëherë pas Bullgarisë. Investimi i fundit i Serbisë në Maqedoni ishte jotipik për një vend të NATO-s. Bëhet fjalë për MTEL, kompani bijë e “Telecom Serbia”, e cila është prezente në tregun maqedonas që nga viti 2021. Së fundmi bleu operatorin telekomunikues të vendit “Neotel”. Me këtë MTEL po bëhet lojtar serioz në biznesin e telekomunikimeve, ku përveç telefonisë mobile, futet edhe në ofrimin e internetit, platformës televizive, telefonisë fikse dhe të tjera. Kjo përforcon bazën e ndikimit mediatik të Serbisë në Maqedoni, i cili edhe ashtu realizohet nëpërmjet produksioneve televizive që emetohen në televizionet më të shikuara në vend.

A janë shqiptarët target i ndikimit serb?

Tash të kthehemi te donacioni i kompanisë nga Çaçaku “Unipromet” për gjimnazin e Tetovës. Në asnjë rast nuk duhet parë të gjitha donacionet me dyshime dhe histeri, pa marrë parasysh nga cilat kompani vijnë. Kjo kompani u bë lajm vite më parë kur, për shkak të profitit të lartë të realizuar, vendosi që të gjithë të punësuarve në Çaçak t’u dhurohet nga një makinë Renault Clio. Një gjest vërtet për t’u përshëndetur. Kompanitë private, në fund të fundit, kanë përgjegjësi shoqërore që të ndihmojnë në shoqëritë nga ku vjelin profitet, një kulturë kjo pak e pranishme te bizneset e Tetovës dhe më gjerë. Megjithatë, kohëve të fundit ka tendenca që ndikimi i Serbisë të shtrihet edhe në pjesën e shqiptarëve etnikë. Biznesmeni nga Mali i Zi, Miodrag “Daka” Davidoviq, arriti të blejë një tokë ndërtimi në Tetovë në vitin 2019, që i përkiste një kompanie shtetërore, të cilën më pas e shndërroi në tokë ndërtimore. Davidoviq së fundmi është përfshirë në listën e zezë amerikane për shkak të akuzave se me dekada ka pastruar para për grupet kriminale, duke forcuar ndikimin e tij në rajon dhe duke zhvilluar sipërmarrjen e tij kriminale të kontrabandës së cigareve, naftës dhe armëve në Mal të Zi. Aktivitetet e tij korruptive i kanë mundësuar edhe Rusisë të penetrojë më thellë në rajon, gjë që është parë me shumë shqetësim në Bruksel dhe Uashington. Për më tepër, në arsyetimin e përfshirjes në listën e zezë amerikane thuhet se “Davidoviq është përgjegjës ose bashkëpunëtor në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor.”

Me këtë mbiprani të Serbisë në të gjitha fushat në Maqedoninë e Veriut, nuk është për t’u habitur kur dëgjojmë shqetësime në Bruksel, që burojnë nga frika e minimit të sovranitetit të këtij vendi aspirant. Ndikimi i madh që Serbia ka në politikë, media, biznes… dhe në formësimin e opinionit publik të vendit do të vazhdojë të kontrollojë timonin e shtetit të Maqedonisë së Veriut. Të gjitha këto dinamika reflektohen në anketat e fundit kredibile, të cilat tregojnë se 53 % e maqedonasve etnikë e shohin Serbinë si vend më miqësor, ndërsa mbi 60 % e shohin Bullgarinë si vend më armiqësor.