Pas 25 vitesh, sërish do të hapet shkolla e mesme policore

Nga shtatori i vitit 2026 rikthehet shkolla e mesme policore në vend, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pasi ligji i propozuar me procedurë të shkurtuar tashmë është dorëzuar para deputetëve. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si do të funksionojë në praktikë, Toshkovski paralajmëroi punësim të garantuar për të gjithë ata që do ta përfundojnë shkollën e mesme policore.

“Çdo person që do të regjistrohet në Akademinë Policore në të ardhmen, në kuadër të shkollës së mesme policore, dhe që do ta përfundojë me sukses, do të bëhet pjesë e strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që do të thotë se garantohet punësimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për fillim, është parashikuar që të integrohen në kuadër të shkollës së mesme policore të specializuar ata nxënës që do të kenë përfunduar vitin e dytë në kuadër të shkollave të tjera të mesme, pra do të fillojnë shkollimin në shkollën e mesme policore në vitin e tretë dhe të katërt”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

Duke iu përgjigjur pyetjes pse në vitin 2017, kur propozimi për arsim të mesëm policor erdhi nga opozitarja LSDM, hasi në kundërshtim nga VMRO-DPMNE, ai tha se nuk e di, megjithatë theksoi se për të ky është një hap që është në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Shkolla e mesme policore do të funksionojë në kuadër të Qendrës së Trajnimit në Idrizovë, thuhet në propozim-ligj. Pas përfundimit të vitit të parë dhe të dytë të shkollës së mesme, përmes një konkursi të shpallur do të mund të aplikojnë kandidatët të cilët do të duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara, të cilat për momentin nuk janë të specifikuara në zgjidhjen e propozuar ligjore. Në tekstin e ligjit të propozuar thuhet se kjo nuk do të shkaktojë implikime mbi buxhetin shtetëror, ndërsa shkolla do të jetë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila do të jetë kompetente për zbatimin e procesit arsimor. Megjithatë, programet mësimore do t’i përcaktojë edhe ministri i Arsimit në bashkëpunim me ministrin e Punëve të Brendshme, pas një mendimi paraprak pozitiv nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe Qendra për Zhvillimin e Arsimit Profesional. Në Maqedoni, gjenerata e fundit e 24-të e shkollës së mesme policore ka përfunduar para 25 vitesh, respektivisht në vitin 2000.