Palestina do të bëhet lagjja e 11-të e qytetit të Barcelonës

Kryetari i Bashkisë së Barcelonës, Jaume Collboni, njoftoi të martën se Gaza dhe qytete të tjera palestineze do të bëhen simbolikisht lagjja e 11-të e Barcelonës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe solidaritetit.

Collboni prezantoi planin gjatë një vizite në Jordani, duke thënë se kjo lagje e re do të jetë një njësi teknike dhe buxhetore brenda strukturës komunale të Barcelonës.

Ajo do të plotësojë 10 lagjet ekzistuese të qytetit dhe do të koordinojë të gjitha projektet e bashkëpunimit me qytetet palestineze dhe UNRWA-n, agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë.

“Ky nuk është më një bashkëpunim i vetëm me vizita, por një strukturë e përhershme, e projektuar për të shfrytëzuar talentin e teknikëve komunalë”, tha ai, duke shtuar se një strukturë e ngjashme mund të krijohet “në territorin palestinez ose, nëse është e nevojshme, në Jordani.

Koncepti ndjek një precedent të vendosur në vitin 1995 kur Barcelona e caktoi simbolikisht Sarajevën si distriktin e saj të 11-të për të mbështetur rimëkëmbjen e saj pas gjenocidit të Srebrenicës.

Qëllimi i projektit është që të caktohen punonjës komunalë për të koordinuar projekte bashkëpunimi që ndjekin modelin e një lagjeje qyteti, raporton trt.

Këtë javë, Collboni u zotua gjithashtu të dyfishojë fondet e UNRWA-së për ushqim dhe ilaçe nga 200 mijë euro (231,824 dollarë) në 400 mijë euro (463,725 dollarë) dhe tha se do të “stabilizojë dhe rrisë” bashkëpunimin teknik me qytete si Gaza, Ramallah dhe Betlehemi përmes stafit bashkiak, strukturave të këshillit dhe burimeve të qytetit.

Gjatë fundjavës, Collboni tha se kishte planifikuar të udhëtonte për në Izrael dhe Palestinë, por autoritetet izraelite ia mohuan hyrjen.

“Ne do të fillonim një mision bashkëpunimi dhe paqeje, duke i kushtuar vëmendje kryetarëve të bashkive të Betlehemit dhe Ramallahut. Objektivi ishte të njihnim nga afër realitetin e qyteteve palestineze dhe të eksploronim mënyrat e ndihmës nga Barcelona në këto momente kritike”, tha ai përmes rrjeteve sociale.