Osmani: Mickoski po kthen shqiptarët para Marrëveshjes së Ohrit – Zgjedhjet, referendum!

Shkruan Bujar Osmani

Qeveria e VMRO-së dhe ZNAM-it, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, me intensitet të plotë po vazhdon ta zbatojë politikën që synon largimin e shqiptarëve nga rrjedhat shoqërore, duke i kthyer ata në pozitat periferike që kishin para Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Kjo politikë e Mickoskit shpesh shfaqet si shprehje e karakterit të tij personal – “do t’i nxjerrim prej veshëve”, “do t’ua tregojmë vendin” – por edhe në mënyrën e funksionimit të tij zyrtar, përmes përjashtimit të shqiptarëve nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve: që nga kabineti i tij personal, te mbështetja administrative në ndërtesën e Qeverisë, e deri te grupet punuese qeveritare apo delegacionet për vizita zyrtare – ku ose nuk ka shqiptarë, ose ka ndonjë të vetëm me rol të margjinalizuar.

Kjo intolerancë thelbësore ndaj shqiptarëve është vërejtur edhe nga partnerët tanë strategjikë, të cilët shpesh e kanë paralajmëruar për këtë. Pikërisht për këtë arsye, ai përpiqet ta shmangë përgjegjësinë e vet përmes veprimeve të bashkëpunëtorëve të tij të afërt, që i paraqet si të pakoordinuara apo jashtë kontrollit të tij.

Kjo filloi menjëherë pas formimit të Qeverisë. Si ndryshe të interpretohet fakti që pozita kyçe për zbatimin dhe avancimin e vlerave të Marrëveshjes së Ohrit iu besua përfaqësuesit të ashtuquajturit “botë serbe” në vend? Ky është një poshtërim – si për Marrëveshjen e Ohrit, ashtu edhe për shqiptarët.

Kjo politikë ka vazhduar edhe përmes mbrojtjes dhe promovimit të atyre që publikisht i fyejnë dhe poshtërojnë shqiptarët, siç ishte rasti me Bogojevskin, për të cilin reaguan edhe përfaqësues të BE-së.

Lista e veprimeve të tilla është e gjatë, dhe pasojat janë të dukshme për të gjithë:

Heqja e mekanizmit të Balancerit nga Gjykata Kushtetuese shkaktoi menjëherë një valë punësimesh monoetnike në të gjitha institucionet shtetërore.

Përjashtimi i shqiptarëve nga politikat monetare u pasua me futjen e një grupi financiar të dyshimtë nga “bota serbe”, i përjashtuar më parë nga rrjedhat financiare evropiane.

Interpretimi i shtrembëruar i rezultateve të regjistrimit solli vendimin e padrejtë të KSHZ-së për të ulur numrin e këshilltarëve shqiptarë nëpër komuna.

Kjo listë vazhdon edhe në sfera të tjera: kulturë, ushtri, struktura të sigurisë, e kështu me radhë.

Prandaj nuk duhet të jemi naivë dhe të pranojmë justifikimin se ministri i ZNAM-it “naivisht” e konsideron mekanizmin e Badenterit si pengesë për “progresin e vendit”. Pikërisht këto mekanizma (Badenteri, Balanceri, përfaqësimi gjuhësor etj.) janë mburoja kundër majorizimit, dhe si të tilla, përbëjnë pengesën më të madhe për realizimin e politikës radikale nacionaliste të Mickoskit, VMRO-së dhe ZNAM-it ndaj shqiptarëve.

Kjo politikë e heqjes së mekanizmave që kufizojnë autoritarizmin e tij ecën paralelisht me narrativën e tij anti-evropiane. Përveç tensioneve të thella me Bullgarinë, tani janë shtuar edhe provokimet ndaj Greqisë me shkelje të drejtpërdrejta të Marrëveshjes së Prespës – me qëllim që Maqedonia të mbetet jashtë rrugës evropiane.

Nuk është fjala për ideologji – është përpjekje për të hequr çdo mbikëqyrje evropiane që do të vinte natyrshëm gjatë procesit të negociatave.

Ndër të gjitha figurat e tij proxy (Gjykata Kushtetuese, KSHZ, Banka Qendrore, rregullatorët e ndryshëm dhe “Makso”-t e “Bogojevci”-t…), më e mjerë është pozita e VLEN-it – më saktë mbetjet e VLEN-it në Qeveri. Ata janë vetë të përjashtuar nga tryeza ku merren vendimet, por më tragjike është që më pas detyrohen t’i zbatojnë dhe t’u japin legjitimitet këtyre vendimeve. Shërbimi i tyre i sotëm do të shpërblehet, sipas tyre, me ndonjë kontingjent votash në të ardhmen – si kompensim për turpin që po përjetojnë sot te shqiptarët.

Dhe pikërisht për këtë arsye ata nuk e kuptojnë pse shqiptarët këto zgjedhje i shohin si referendum.

Ata nuk kuptojnë se shqiptarët nuk pranojnë më të jenë mysafirë në shtetin e tyre; se nuk pranojnë të nëpërkëmben e të nënshtrohen, e aq më pak të heshtin përballë kësaj.

Nuk e kuptojnë se shqiptarët nuk janë më të lumtur që thjesht “tolerohen”, por presin të respektohen si të barabartë. Dhe në fund – nuk e kuptojnë se shqiptarët nuk heqin dorë nga e ardhmja evropiane e këtij vendi. Nuk duan të shohin se si Maqedonia bie në përqafimin e “botës serbe” dhe të ndikimit kinez apo rus, por duan ta shohin vendin si një shtet modern, perëndimor, anëtar të plotë të NATO-s dhe BE-së.

Ata nuk e kuptojnë – por shumë shpejt do ta kuptojnë.