NJË KONCERT MADHËSHTOR I VLERAVE AKADEMIKE

Shkruan: Asllan Bajrami
Mbrëmja e së martës do të mbahet gjatë në kujtesën e secilit nga artadashësit që kishin mbushur mjediset madhështore të Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Është bërë traditë që në çdo 26 gusht të organizohen “Ditët e Nënës Terezë”, datë kjo që përkon me ditëlindjen e të Shenjtës së përbotshme, shqiptarës sonë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.
Para se të fillonte koncerti, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji dhe të tjerë folës, do të shpalosnin të dhëna nga biografia e të Shenjtës Nëna Terezë, sikurse që do të risillnin në vëmendje ceremoninë e bekimit të gurthemelit të Katedralës 20 vite më parë nga presidenti Ibrahim Rugova dhe ish-Ipeshkvi i ndjerë i Kosovës Imzot Mark Sopi.
Më të përfunduar të fjalimeve të rastit, në skenën madhështore të Katedralës “Nëna Terezë” u ngjitën artistë nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të prirë nga mezosopranja e mirënjohur Besiana Mehmedi. Në këtë formacion artistësh ishin edhe soprano Mariana Leka, tenori Gerald Murrja, basi Bledar Domi, aktorët Safete Rogova dhe Xhevat Limani, pianistja Rudina Ciko, kori “Të Mirët e Kombit” dhe dirigjenti maestro Zhani Ciko.
I gjithë program ishte ideuar dhe realizuar me një kujdes të veçantë dhe profesionalizëm të lartë nga drejtori artistik Shkodran Tolaj.
Interpretimi i këtyre artistëve ishte i një niveli të lartë. Ata kishin përzgjedhur një program autorësh me famë botërore, duke përfshirë vepra të muzikës klasike nga Mozart, Handel, Stradella, Cesar Franck, Giuseppe Verdi, por edhe autorë shqiptarë si Imzot Mikel Koliqi, Lorenc Antoni, Gjon Simoni, Avni Mula, Gjon Gjevelekaj dhe Sami Piraj.
Publiku pas çdo interpretimi shpërthente në duartrokitje. Emocionet që artistët krijonin ishin të forta. Ngritja në këmbë e publikut dhe duartrokitjet e gjata shoqëruan interpretimet me pasion dhe nivel të lartë artistik, veçanërisht nga Besiana Mehemdi, e cila në këtë mbrëmje koncertore solli premierë Arian e Rozafës sipas tekstit të Imzot Mikel Koliqi dhe veprën tjetër premierë “Fanar” me tekst të Shkodran Tolajt dhe muzikë të Sami Pirajt. Shkëlyen edhe artistët e tjerë bashkë me interpretimet e korit “Të Mirët e Kombit”. Ky program u pasuara edhe me dy interpretime nga aktorët Xhevat Limani, i cili shpërfaqi madhështinë e figurës së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe aktorja Safete Rogova, e cila mahniti me deklamimin e vargjeve “Lutjet e Nënës Terezë”.
E veçanta dhe surprizë e kësaj mbrëmje ishte moderimi i koncertit nga mezosopranja Besiana Mehmedi. Elekuenca që shpërfaqi ajo, mënyra e komunikimt, saktësia e prezantimit deri në detaje të secilës nga veprat që interpretoheshin nga kolegët e saj, mahniti publikun duke u shprehur i befasuar dhe i lumturuar njëkohësisht për nevelin e lartë artistike dhe kulturë gjuhësore të Besiana Mehmedit, e cila padyshim i dha një vlerë të shktuar mbrëmjës koncertore në Katedralën “Nëna Terezë” në Prishtinë.