NJË HISTORI E TRISHTË E SHQIPTARËVE ORTODOKSË TË MAQEDONISË SË VERIUT

Shkruan: Merxhan Jakupi

Vitet e fundit, fluksi i turistëve nga shtetet fqinje ka pushtuar rivierën e bregdetit shqiptar.
Në një hotel tek Shkëmbi i Kavajës, shumica e pushuesve ishin nga Bullgaria, Bosnja dhe disa familje nga Maqedonia e Veriut, shqiptarë dhe maqedonas.
Një zotëri nga Shkupi, me familjen fliste maqedonisht, ndërsa me kamarierët dhe të tjerët shqiptarë fliste një shqipe të rrjedhshme dhe të bukur.
E pyeta se nga ishte, dhe më tha se ishte nga Shkupi.
Duke parë se si ai fliste maqedonisht me të shoqen e fëmijët, por shqip me të tjerët, mendova se çifti ishte shqiptar–maqedonas.
“Zotëri Lubçe, e flisni shumë bukur shqipen”, i thashë, dhe më pas e pyeta se çfarë nacionaliteti është.
Më kërkoi ndjesë dhe, me zë të ulët, më tha: “Jam maqedonas.”
“Shumë bukur e flisni shqipen”, ia ktheva.
Në atë hotel ishin edhe disa familje nga Gostivari dhe Tetova.
Kamarieri më tha: “Është për t’u habitur, më mirë po flet dhe më mirë po e kuptoj atë maqedonasin sesa ju shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia”.
Duke pirë kafe bashkë me një boshnjak, një serb dhe Lubçen, zotëri Avdiç na tha neve nga Maqedonia: “Pse nuk bleni ju shqiptarët apartamente?”. Lubçeja rrudhi krahët, ndërsa unë i thashë: “Më shumë kanë blerë italianët.”
Zotëri Bogiç nga Bosnja tha: “Ku është deti, aty është mbreti.”
Avdiç shtoi: “Shqipëria do të hyjë më shpejt në BE sesa Serbia, Bosnja dhe Maqedonia”.
Lubçe ndërhyri: “Ata janë më afër Europës. Ne do të mbetemi mbrapa. Shqiptarët e Shqipërisë janë më europianë se ne”.
Avdiç ia ktheu: “Ne do të mbetemi sindromë dhe tavernë ballkanike.” Bogiçeviç u pajtua.
“Ah, sikur të ishim si ju, do të blinim vila dhe apartamente,” tha z. Avdiç, duke menduar se edhe Lubçe ishte shqiptar. Duke vazhduar bisedën, z. Bogiçeviç tha se të gjithë popujt e ish-Jugosllavisë vuajnë pak nga jugonostalgjia dhe se jemi bërë armiq, por kur dalim jashtë vendit sillemi si miq.
Lubçe, duke buzëqeshur, tha: “Këtu tash jemi një Jugosllavi e vogël”.

ASIMILIMI I SHQIPTARËVE ORTODOKSË NË MAQEDONINË E VERIUT
Duke vazhduar bisedën me zotëri Lubçe Gurevski, e pyeta: “Shumë rrjedhshëm dhe shumë pastër e flisni gjuhën shqipe. Edhe stafi i hotelit është fascinuar nga ju, duke u habitur se si një maqedonas e flet kaq mirë shqipen. Zotëri Lubçe, mund t’ju pyes se nga e keni mësuar gjuhën shqipe”. Ai më tha se e ka mësuar nga prindërit.
“Po prindërit, nga e kanë mësuar gjuhën” – e pyeta?
Zotëri Lubçe, paksa i sikletosur, tha se e kanë mësuar nga gjyshi dhe gjyshja.
Ah, tash e kuptova, shqipja është gjuha juaj amtare, i thashë. Ndërkohë që Lupçeja më tha se gjyshja nuk dinte as dy fjalë maqedonisht, ndërsa gjyshi fliste mirë të dy gjuhët.
“Gjyshërit i kam nga Reka e Gostivarit. Në vitet e 60-ta, gjysma e prindërve u shpërngulën në Shkup. Babai im, i ndjeri, katër vitet e para të shkollës fillore i ka bërë në fshat, në gjuhën shqipe,” më tregoi Lubçe Gurevski.
“Zotëri Gurevski, kërkoj ndjesë, por atëherë ju qenkeni me origjinë shqiptare,” i thashë.
Zotëri Gurevski, i skuqur në fytyrë, u përgjigj: “Jo, ne jemi maqedonas”.
“Po nga e morët gjuhën, kur ju vetë thoni se gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj kanë folur shqip”, e pyeta.
Lubçe kishte një krizë identiteti dhe një kompleks inferioriteti. Kishte turp dhe një melankoli të heshtur për të treguar origjinën e familjes, ashtu si shumë shqiptarë ortodoksë të Maqedonisë së Veriut. Ajo që rrëfente zotëri Gurevski, ose thënë më mirë zotëri Guri, ishte një përzierje broçkullash që, ndonëse tingëllonin tragjikomike, shfaqeshin si një hije e fatit të tij.
Zotëri Gurevski filloi të rrëfente se si këta maqedonas, ose sllavë, pas ardhjes së Perandorisë Osmane, kishin filluar albanizimin e tyre. Zotëri Guri, që unë e konsideroj shqiptar, nisi të rrëfejë për origjinën e tij. “Ne kemi mësuar nga kleri ynë në kishë, nga mësuesit dhe nga tekstet shkollore. Maqedonasit e Rekës dhe të Dufit kanë pasur presion dhe dy opsione: Opsioni i parë ishte konvertimi në islam, kurse i dyti, të mbeteshim të krishterë, por të albanizoheshim dhe të mos flisnim gjuhën tonë maqedonase, ndërsa si gjuhë do të ishte gjuha shqipe”, rrëfente Gurevski.

HISTORIA E DHIMBSHME E KONVERTIMIT DHE E DEGDISJES
Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, ruanin ende identitetin e tyre shqiptar. Takimi im me një mik shqiptar të krishterë ortodoks, i cili kishte emigruar në SHBA në vitet e 70-ta dhe kishte ruajtur me kujdes identitetin e tij, më hapi një dritare të dhimbshme mbi historinë e tyre. Ai rrëfente se pas regjistrimit të vitit 1951 në Federatën Jugosllave, regjimi në Shkup filloi reprezalje dhe një proces të qëllimshëm asimilimi ndaj pakicës shqiptare të krishterë në Maqedoni.
Kleri ortodoks shqiptar, nën presion politik, u apeloi të gjithë shqiptarëve ortodoksë që të regjistroheshin me identitet maqedonas ose serb. Disa familje nuk pranuan të konvertoheshin në sllavë. Është një tregim shumë emocional dhe i dhimbshëm: ata që emigruan jashtë Jugosllavisë, shumica në SHBA dhe në shtete të tjera perëndimore, e ruajtën identitetin e tyre, ndërsa ata që mbetën, u asimiluan.
Familja dhe fisi, rrëfente miku im me origjinë nga Reka, u nda në tri degë, një pjesë u asimilua, një pjesë u vendos në Korçë, dhe një pjesë emigroi në SHBA.
Miku im vazhdonte të rrëfente histori të zhurmshme dhe tragjike. Shumë familje të brezit të parë dhe të dytë ende flasin shqip brenda shtëpisë. Pas viteve të 90-ta, vizitova familjet e shpërngulura në Korçë dhe më pas në Shkup. “ Unë në isha iniciatori që tre familje, kushërinj e xhaxhallarë, u takuan për herë të parë pas gjysmë shekulli, në Shkup”, rrëfente miku im.
“Ne, shqiptarët e Maqedonisë, shpresuam se pas fillimit të demokracisë, shqiptarët ortodoksë do t’i riktheheshin identitetit të tyre shqiptar. Fatkeqësisht, vetëm disa familje u rikthyen në identitetin shqiptar. Partitë shqiptare, me liderët e tyre, për motive politike, filluan ta rrisin numrin e tyre, gjoja se mijëra shqiptarë i ishin kthyer identitetit shqiptar”, i thashë mikut tim.
Miku, më në fund, më tha se shqiptarët ortodoksë janë asimiluar dhe janë shkrirë. Vështirë se në të ardhmen do t’i kthehen identitetit të tyre. Familjet ortodokse shqiptare dhe shumë miq të mi më kanë treguar se maqedonasit shpesh janë inferiorë dhe etnofobikë ndaj nesh, shqiptarëve ortodoksë. “Shqiptarët ortodoksë tentojnë të bëhen ‘më katolikë se Papa’. Në gjuhë, kulturë dhe zakone identifikohen me maqedonasit, edhe pse nuk janë maqedonas, në fakt janë shqiptarë”, tha ai.
“Është e vështirë, më kanë thënë disa miq bashkëkombës të mi, të jesh shqiptar i asimiluar si qytetar maqedonas. Ne kemi pësuar tragjedi dhe vuajtje gjatë procesit të asimilimit. Shpesh na etiketonin me nofkën përçmuese ‘Shiptari’”, rrëfente me shumë trishtim, miku im.