Një 5-vjeçare sulmohet nga ujku në Brod, tërhiqet zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se në Klinikën Emergjente të QKUK-së, është pranuar një fëmijë 5-vjeçar nga fshati Brod, komuna e Shtërpcës, që sipas familjarëve është sulmuar nga një ujk dhe është tërhequr zvarrë disa metra nga oborri i shtëpisë, shkruan Reporteri.net.

Sipas njoftimit, ajo ka lëndime në gjoks dhe shpinë.

Gjendja e saj thuhet se është stabile, por se do të vazhdojë të trajtohet në QKUK.

“Pas pranimit në Klinikën Emergjente, ka marrë trajtimin e parë mjekësor dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme fillestare. Aktualisht, fëmija është pranuar dhe po merr trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku gjendja vlerësohet stabile. Janë dhënë vaksinat, sipas protokollit, si dhe është konsultuar Psikologu Klinik për vlerësimin dhe mbështetjen e gjendjes emocionale të fëmijës. Pavarësisht gjendjes stabile, për arsye të monitorimit dhe mundësisë së ndryshimeve eventuale, pacientja do të qëndrojë për disa ditë në klinikë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net