Në Universitetin e Tetovës ka filluar afati i parë i regjistrimit për vitin akademik 2025/2026

Në Universitetin e Tetovës prej sot e deri më 29 gusht 2025 do të zhvillohet afati i parë i aplikimit në
trembëdhjetë njësitë akademike. Referuar Konkursit për regjistrimin e studentëve të rinj në ciklin e parë të
studimeve për vitin akademik 2025/2026, UT-ja ofron 3431 vende të lira, të ndara në kategorinë e kuotave
shtetërore, bashkëfinancimit dhe studimeve me korrespondencë.
Në këtë kuadër, maturantët dhe kandidatët e tjerë të cilët i plotësojnë kriteret e parapara, mund të aplikojnë
për regjistrim në njërin nga programet studimore që ofron Universiteti i Tetovës.
Aplikimi dhe regjistrimi do të zhvillohen në tri afate, ndërkaq afati i parë do të realizohet prej 25 deri më 29
gusht 2025.
Kandidatët duhet ta plotësojnë formularin online në platformën: www.apply.unite.edu.mk. dhe më pas t’i
dorëzojnë dokumentet në administratën përkatëse të fakulteteve, gjatë afateve të shpallura.
Për programet e caktuara, si ato të Fakultetit të Mjekësisë, Arteve, Kulturës Fizike, Arkitekturës dhe
Pedagogjisë, do të organizohet provim pranues për verifikimin e njohurive dhe aftësive të veçanta.
Drejtuesit e Universitetit të Tetovës theksojnë se ky institucion garanton proces transparent dhe të drejtë të
përzgjedhjes, me komisione të veçanta për çdo fakultet dhe program studimi, në përputhje me rregulloret dhe
standardet e përcaktuara.
Për më shumë informacione dhe hollësi mbi programet studimore, dokumentacionin e nevojshëm, tarifat dhe
afatet e aplikimit, vizitojeni uebfaqen zyrtare të Universitetit të Tetovës: www.unite.edu.mk

Në Universitetin e Tetovës ka filluar afati i parë i regjistrimit për vitin akademik 2025/2026