Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë i Mianmarit ka bërë të ditur se presidenti në detyrë i vendit, U Myint Swe, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në moshën 74-vjeçare, transmeton Anadolu.
Sipas mediave lokale, Myint Swe ka qenë në gjendje kritike dhe po trajtohej në njësinë e kujdesit intensiv në një spital ushtarak në kryeqytetin Naypyidaw.
Që nga fillimi i vitit 2023, ai kishte përjetuar lëvizje më të ngadalta dhe vështirësi në të ngrënit. Rezultatet e testeve treguan se ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe çrregullime neurologjike të lidhura me të.
Ai iu nënshtrua trajtimit mjekësor në Qendrën mjekësore “Mount Elizabeth” të Singaporit në prill të vitit të kaluar.
Myint Swe u bë president në detyrë pasi ushtria mori pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi në shkurt të vitit 2021.