Naser Selmani: “Maqedonia e Veriut si Republika Serpska” (VIDEO)

Shkruan: Naser Selmani

Gjatë dy muajve të kaluar kam intervistuar disa ish-funksionarë të lartë maqedonas, të cilët në periudha të ndryshme kanë ushtruar funksione shtetërore si kryetar shteti, kryeministër apo ministër i Brendshëm. Edhe pse vijnë nga kampe të ndryshme politike, të gjithë pajtohen për një gjë: Maqedonia e Veriut ka qenë dhe mbetet nën kontrollin e plotë politik të Serbisë.
Si sukses më të madh të Beogradit ata vlerësojnë instalimin e strukturave proserbe në VMRO, një parti që historikisht ka qenë probullgare. Madje ish-kryeministri Lubço Georgievski, themeluesi i saj, sot e quan VMRO-n një “ironi të historisë”. Ky depërtim strategjik serb ndodhi gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, kur shërbimin sekret maqedonas e drejtonte kushëriri i tij, Sasho Mijallkov.
Për të kuptuar më thellë ndikimin serb në Maqedoni, duhet të kthehemi në gusht 1944, kur u mbajt Këshilli Antifashist për Çlirimin e Popullit të Maqedonisë. Elitat politike serbe atëherë pranuan formimin e shtetit maqedon vetëm me një kusht: që kjo krijesë shtetërore t’u shërbente interesave serbe në rajon kundër fqinjëve.
Por si ka mundur Serbia të dominojë Maqedoninë edhe pas shpalljes së pavarësisë, kur serbët në vend janë një pakicë e papërfillshme, të sjellë si kolonë pas Luftës së Parë Botërore?
Përgjigjja është e thjeshtë: me inxhiniering politik, duke zbatuar strategjinë e vjetër romake “përça e sundo”. Privilegjuan maqedonasit sllavë duke u njohur të drejtën e shtetit në kuadër të Jugosllavisë federale, ndërsa nga ana tjetër ushtruan represion brutal ndaj gjithçkaje shqiptare.
Serbët me mjeshtëri nxitën armiqësi midis maqedonasve dhe shqiptarëve, një konflikt që nuk kishte ekzistuar në kohën e Jugosllavisë së Mbretit. Përkundrazi, mes dy luftërave botërore maqedonasit dhe shqiptarët shpesh bashkëpunuan kundër okupatorit serb.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e kontrolluar nga serbët përdori ideologjinë komuniste dhe pansllavizmin për të nxitur sllavët e Maqedonisë kundër shqiptarëve. Ato shpifnin kundër shqiptarëve si bashkëpunëtorë të fashizmit, për të justifikuar shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të tyre. Kjo politikë serbe, e zbatuar nga elitat maqedonase, krijoi armiqësi mes dy popujve.
Një tjetër vijë ideologjike serbe që armiqëson maqedonasit me shqiptarët është politika serbe kundër Perëndimit. Retorika pansllavise në Ballkan, e frymëzuar nga Moska, paraqet botën euroatlantike si fashiste dhe proshqiptare. Ky narrativ ka dominuar veçanërisht në hapësirën maqedonase pas shpalljes së pavarësisë. Serbët e dinë mirë: sa më i madh të jetë konflikti mes maqedonasve dhe shqiptarëve, aq më i fortë mbetet ndikimi i tyre në Maqedoni.
Për të mbajtur gjallë këtë konflikt, Serbia përdor shërbimet sekrete maqedonase, të cilat kurrë nuk u reformuan pas pavarësisë. Përmes tyre, Beogradi kontrollon partitë, biznesin dhe mediat maqedonase.
Prandaj detyra kryesore e VLEN-it në qeveri është të luftojë kundër ndikimit të botës serbe në Maqedoninë e Veriut. Për këtë kanë bekimin e shqptarëve dhe të partnerëve euroatlantik.
Kjo është beteja ku ata duhet të dëshmojnë shqiptarizmën e tyre dhe përkushtimin ndaj aleancës me Perendimin. Këtu duhet të tregojnë forcën e tyre politike – jo duke u marrë me opozitën.