Naim Saliu largohet nga LD-ja e Mexhitit: “Nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë”
Si anëtar i Këshillit Themelues dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes Demokratike, u bëra pjesë e këtij rrugëtimi me një qëllim të vetëm: të avancojmë edhe më tej pozitën e shqiptarëve në vendin tonë, veçanërisht në Shkup.
Ky ishte motivi im për t’u angazhuar në themelimin dhe udhëheqjen e kësaj lëvizjeje, bashkë me Izet Mexhitin.
Por ajo që po ndodh këtë vit, pas formimit të qeverisë me VMRO-në, nuk është avancim është degradim i plotë!
Jo vetëm kaq, por është edhe një fshirje dhe përçmim i të gjitha arritjeve që shqiptarët kanë ndërtuar me mund dhe sakrifica gjatë këtyre 20 viteve.
Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj faqeje të errët të historisë.
Bashkë me bashkëpunëtorët e mi, kthehemi aty ku duhet të jemi në radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim për të ndalur këtë përdhosje të arritjeve tona, për t’u rikthyer dhe avancuar edhe më shumë pozitat e shqiptarëve.
Sepse ky është i vetmi opsion real për ta bërë këtë.
Ne kemi obligim moral dhe politik të mbrojmë gjithçka për të cilën kemi luftuar e punuar. Dhe kjo nuk bëhet duke heshtur!
Ky është një vendim i menduar thellë, por mbi të gjitha një vendim i ndershëm ndaj vetes, bashkëpunëtorëve dhe kombit tim.