MPB ka filluar masat për identifikimin e personave që dyshohet se kanë bërë thirrje raciste anti-shqiptare në Kumanovë

Ministria e Brendshme njoftoi se ka filluar masat operative për identifikimin e personave që dyshohet se kanë bërë thirrje raciste anti-shqiptare nga tribunat e sallës sportive në Kumanovë, gjatë kohës sa po zhvillohej ndeshja e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Siç bëhet e ditur disa persona pritet që në orët në vijim të merren në bisedë informative, ndërsa më pas në hetim do të përfshihet edhe Prokuroria Publike.

Ndërkohë ka reaguar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

“Këto provokime vijnë nga grupe të vogla, por të zhurmshme. Ne i dënojmë fuqishëm dhe kërkojmë që të mos relativizohen. Nismëtarët e këtij provokimi do të përgjigjen”, theksoi Iseni.

Ai u ndal edhe te reagimi i BDI-së, duke e quajtur të pasinqertë dhe të vonuar. “BDI nuk ka të drejtë morale të flasë për dinjitetin e shqiptarëve. Ishin zëvendësministrat dhe funksionarët e tyre që rrinin të heshtur në kolltuqe edhe kur shqiptarët zvarriteshin në tokë, arrestoheshin e poshtëroheshin në prag të shtëpive të tyre. Ata zgjodhën pushtetin para popullit”, u shpreh zëvendësministri Iseni.