Mickoski: Termocentralet potenciale kogjenerative me gaz do ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e ajrit
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në seancën e sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, foli për investimet në energjetikë. Ai theksoi rëndësinë e investimit potencial në termocentrale kogjenerative me gaz, si dhe ndërtimin e parkut me erë të kompanisë “Alkazar”, për të cilin tashmë është vendosur gurthemel.
“Kompania turke ‘AKSA grup’ ka ambicie të ndërtojë projekte në pjesën e prodhimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes me gaz, duke përdorur gazin si lëndë djegëse primare, e në këtë mënyrë të sigurojë ngrohje për rajone të caktuara që nuk kanë pasur ngrohje qendrore deri më tani dhe kanë përdorur alternativa të tjera, e më së shpeshti dru”, tha kryeministri dhe shtoi:
“Sfida më e madhe është cilësia e ajrit me të cilën përballen banorët e Shkupit, por e shoh se nuk është vetëm Shkupi, kjo është sfidë për shumicën e qyteteve në vend. Askush në të kaluarën nuk është marrë seriozisht me sistemin e ngrohjes, megjithëse të gjitha studimet e fizibilitetit tregojnë se më shumë se 60% si faktor i cili ndikimon mbi cilësinë e ajrit dhe cilësinë e mjedisit jetësor është pikërisht sistemi i ngrohjes. Zakonisht përdoren lëndë djegëse fosile, dru dhe nganjëherë përdoret gjithçka.”
Kryeministri theksoi se ky problem nuk zgjidhet brenda natës, por përmes masave aktive, siç është blerja e 120 autobusëve elektrikë dhe ndërtimi i centraleve kogjenerative.
“Arritëm negociata me palët e interesuara dhe memorandum për mirëkuptim të cilin e nënshkruam me kompaninë turke ‘AKSA grup’ për ndërtimin e të paktën dy impianteve të tilla, njëri në Shkup dhe jemi duke shqyrtuar lokacionin për të dytin. Sipas portofolit të tyre, ata kanë ndërtuar impiante të këtij lloji për 10 muaj në Uzbekistan. Pyetja është pse nuk është arritur marrëveshje në të kaluarën, megjithëse janë bërë negociata, arsyeja ka qenë sjellja devijuese e individëve nga Qeveria e mëparshme. Tani kemi rrugë të hapur, ja nuk është patjetër të jenë 10 muaj, le të jenë dy vite që të ndërtohen ky lloj i objekteve. Të njëjtit do të ndërtojnë edhe infrastrukturën nën tokë, si dhe rrjetin terciar të gazit për ata që duan të përdorin gazin. Ky investim potencial, me vlerë prej një miliard euro, presim të realizohet gjatë pesë viteve të ardhshme dhe do të ketë ndikim dramatik në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, tha Mickoski.
“Sa i përket ‘Alkazar’, kjo është shumë e rëndësishme, tashmë është vendosur gurthemeli. Vitin e kaluar, kur e nënshkruam këtë investim dhe Memorandumin, të njëjtët që flisnin për këtë, sulmonin dhe shpiknin se do të jepeshin privilegje, nuk e di çfarë përfitimesh do u kishim dhënë. Ja asgjë, siç e pamë, është një kompani e orientuar nga tregu. Ajo që mund të them jozyrtarisht, është se ndoshta dikush në të kaluarën nuk arriti të sjellë Google apo Facebook në vend, por shumë gjasë është që një brend shumë i madh botëror, do ta lë që vetë ta shpallin deri në fund të muajit, do të përdorë energji elektrike të prodhuar nga ky park i erës, nga era maqedonase. Ata janë aktualisht në fazë negociatash dhe ia lë kompanisë investuese ta bëjë publike këtë. Kur them brend i madh botëror, e kam fjalën për një brend që në industrinë e saj është ndër tre të parat në botë dhe nëse e pranojnë sugjerimin tim, i cili u dha që në vendosjen e gurthemelit i cili në kuadër të atyre 300 hektarëve tokë me koncesion të instalojnë edhe panele diellore dhe bateri, atëherë nuk do të jetë vetëm nga era, por do të kemi një sistem hibrid”, përfundoi kryeministri Mickoski.