Mickoski: Presim një valë edhe më të madhe investimesh pasi të përfundojmë pjesën e negociatave me SHBA-në për tregti ndërmjet dy vendeve
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur një pyetjeje deputetësh në Kuvend, se a mund të priten investime të shtuara vendase dhe të huaja, zbuloi se pret një valë të shtuar investimesh pas negociatave me SHBA-në për tregtinë por edhe për planet dhe angazhimin e qeverisë për të tërhequr investitorë në industrinë ushtarake, mjekësore dhe atë të baterive, gjë që do të sillte rritje të BPV-së, do të rritej eksporti dhe do të ndryshonte portofoli i shtetit.
„Një prej shembujve të suksesshëm është investimi i madh pikërisht nga ‘Alkazar’, me vlerë prej gjysmë miliard dollarë. Shembull i dytë i suksesshëm, në qoftë se ky memorandum mirëkuptimi operacionalizohet dhe nuk dyshoj, është edhe ‘Aksa grup’, me vlerë një miliard euro por gjithashtu është edhe konfirmim i disa investimeve të tjera që i kemi shpallur kohëve të fundit, të cilat kanë nisur ose janë në fazën vendimmarrëse për fillimin e investimit këtu dhe unë pres që kjo valë të forcohet pasi të përfundojmë pjesën me negociatat me SHBA-në për tregtinë mes dy vendeve. Nga ajo që kemi si informacion, janë konfirmuar tashmë 8 investime që deri në fund të vitit ose do të nisin ose do të shpallin se kanë marrë vendim për fillimin e investimit tek ne. Kjo është shifra e fundit që e mora dje nga drejtori i ZZHTI i cili dje më dha dy lajme të mira.“
„Një nga lajmet e mira është se një kompani që tashmë deklaroi se do të investojë në biznesin farmaceutik se do të rrisë investimin e vet për rreth 60 për qind; ndërsa lajmi i dytë është në pjesën e industrisë për bateri elektrike, që gjithashtu është konfirmuar, por t’i lëmë ata vetë të shpallin, e pastaj ne t’i konfirmojmë. Por njëkohësisht pres që, përveç këtyre 8 investimeve, të ketë edhe disa investime nga kompanitë që tashmë operojnë këtu. Të tilla pres të paktën tri, që do të shtojnë eksportin për gjysmë miliard dollarë shtesë”, theksoi kryeministri Mickoski në pyetje të deputetit për pritshmëritë e mundshme për investime të reja të huaja direkte në Maqedoni.
“Kur bëhet fjalë për Investimet e Drejtpërdrejta të Huaja, këtu nuk kemi asnjë dilemë se vazhdojmë të jemi partnerë të investitorëve, t’i lehtësojmë bisedimet, me një pjesë prej tyre që e kishin humbur shpresën dhe kishin provuar tek disa nga fqinjët tanë, por po kthehen sepse shohin se klima këtu ka ndryshuar, qasja është ndryshe, nuk ka më ‘një këtu, një atje’, por qasja është e sinqertë. Duam të ndihmojmë, me dorë të shtrirë, të gjithë në qeveri punojnë për të ndihmuar edhe MPJ-ja, edhe tregti të jashtme edhe ministria e transportit që është në pjesën e urbanizimit, ministritë e financave, të ekonomisë, qeveria, sekretariati, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të gjithë që janë të lidhur me tregtinë e jashtme dhe ekonominë,” theksoi Mickoski.
Kryeministri, në përgjigjen e tij ndaj një pyetje të deputetëve, theksoi gjithashtu edhe një pjesë që ka të bëjë me zhvillimin e një modeli të ri për tërheqjen e investitorëve nga industria ushtarake.
“Së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, në periudhën që vjen do të përpiqemi të zhvillojmë një model të ri për tërheqjen e investitorëve në industrinë ushtarake. Të gjitha sinjalet që vijnë nga vendet anëtare të Aleancës së NATO-s tregojnë se tregu i armëve do të përjetojë një zhvillim dramatik në vitet që vijnë, sepse po rriten shpenzimet në fushën e mbrojtjes. Bëhet fjalë për triliona, mijëra miliarda dollarë që do të shpenzohen në vit dhe do të ishte naive si shtet të mos e njohim këtë dhe të mos sigurojmë lloje të tilla zonash të veçanta të gatshme që prodhuesit të prodhojnë pajisje dhe armë ushtarake. Këto nuk janë zona ushtarake, por zona të gatshme për të pranuar investitorë që investojnë në pajisje dhe armë ushtarake.
Me të vërtetë do të ishte naive nga ana jonë të mos e njohim këtë dhe të mos i tërheqim ata,” theksoi Mickoski, i cili zbuloi se tashmë po zhvillohen bisedime në këtë drejtim, gjë që do të kontribuojë në mënyrë dramatike në ekonomi.
“Tashmë kemi biseda me disa investitorë potencialë të këtij lloji, të cilët e shohin vendin si një nikoqir të mundshëm dhe ne si qeveri duam të krijojmë dhe të përcaktojmë disa lokacione të tilla ku do të zhvillojmë këtë lloj zonash, që do të ndikojnë në mënyrë dramatike në BPV, sepse inputi, pra importi, do të jetë shumë më i vogël krahasuar me eksportin, sepse eksporti i këtij lloji të pajisjeve dhe produkteve ka vlerë të shtuar të madhe, dhe pikërisht kjo është ajo që hyn në përllogaritjen përfundimtare të BPV-së. Nëse kemi 200 ose 300 milionë importe, eksporti do të jetë më shumë se një miliardë, përfitimi bruto do të jetë në anën tonë,” theksoi kryeministri.
Përveç industrisë ushtarake, kryeministri Mickoski theksoi edhe mendimet dhe planet në drejtim të industrisë mjekësore dhe të prodhimit të baterive.
„Përveç portofolit standard që e kemi, si industria automobilistike, tani po përpiqemi të zhvillojmë sektorin farmaceutik dhe atë mjekësor, këtu jemi veçanërisht të fokusuar, sepse popullsia në Evropë po plaket, për fat të keq, por kjo nënkupton se do të ketë nevojë më të madhe për kujdes paliativ, shërbime të shtuara mjekësore, e kështu me radhë që do të thotë se edhe në këtë fushë do të ketë rritje të konsumit në vitet që vijnë. Prandaj, duhet të orientohemi drejt tërheqjes së investitorëve që do të prodhojnë pajisje mjekësore, stenta, analizat tregojnë se më shumë se gjysma e njerëzve, veçanërisht në moshë të madhe, vuajnë nga probleme kardiovaskulare.
Kështu që, duhet të fokusohemi në pajisje mjekësore që do të shtojnë vlerë në ekonominë tonë, në pjesën e prodhimit të armëve, pajisjeve dhe municioneve, në pjesën e baterive në energjetikë, kjo është e ardhmja, burimet e rinovueshme të energjisë dhe ruajtja e saj në bateri, kështu që i analizojmë dhe po e konsiderojmë shumë seriozisht këtë drejtim, duke u përpjekur që kompanitë të na njohin si destinacion që do të diversifikojë portofolin tonë nga industria automobilistike në një industri tjetër, e cila në vitet që vijnë do të jetë shumë e kërkuar në treg, e ajo është industria ushtarake, industria mjekësore dhe prodhimi i baterive që do të jenë të domosdoshme për ruajtjen e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme”.
Kryeministri Mickoski, në lidhje me investitorët vendor, u referua te një informacion nga Banka Popullore për rritjen e kërkesës për kredi për investime nga kompanitë vendase dhe bëri krahasim me të dhënat në BE.
“Sa i përket investitorëve vendorë, një pjesë e rëndësishme është rritja e kredive që marrin kompanitë vendase për të investuar. Në tremujorin e parë ajo është rritur rreth 12 përqind, 11.8% sipas të dhënave të Bankës Popullore. Si shifër ndoshta nuk duket e madhe, por ajo shifër në BE është 2.5 përqind, për krahasim. Në vitin 2018 ka qenë 5.4 përqind, në vitin 2019, 6 përqind, që do të thotë se është dyfishuar. Kjo tregon se kemi interes edhe nga investitorët vendor, ndërsanë masë të madhe kjo është falë kredisë që morëm nga Hungaria dhe normës së ulët të interesit që ua dhamë investitorëve, për t’u kombinuar me produktet që ofrojnë bankat komerciale vendase dhe për të ndërtuar një portofol investimesh dhe tani kemi një rritje prej 12%,” theksoi kryeministri Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve për pritshmëritë në fushën e investimeve vendase dhe të huaja.