Mediat amerikane: Zelensky mund t’i bashkohet Trumpit dhe Putinit në Alaska

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu rus, Vladimir Putin, do të takohen më 15 gusht në Alaskë.

Sipas një raporti të CBS-it, takimit mund t’i bashkohet edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i thënë në kushte anonimiteti televizionit amerikan se planifikimi i takimit është ende “në zhvillim” dhe se lideri ukrainas mund të përfshihet në një mënyrë apo tjetër.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më herët këtë javë se Trump është i hapur për një takim si me Putinin, ashtu edhe me Zelenskyn, por lideri amerikan të premten sugjeroi se takimi mund të nisë vetëm me Putinin, duke u thënë gazetarëve se planifikon “të fillojë me Rusinë”.

Trump gjithashtu tha se beson që ekziston mundësia për të organizuar një takim trepalësh me liderët e Ukrainës dhe Rusisë.

Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe disa vende evropiane planifikojnë të takohen këtë fundjavë në Mbretërinë e Bashkuar për të harmonizuar qëndrimet e tyre para takimit të planifikuar mes Trumpit dhe Putinit, raportoi Axios, duke iu referuar tre burimeve të informuara.

Ndryshe, Zelensky ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Trumpit rreth shkëmbimeve të territoreve, ku ka pohuar se nuk do të ndodhë një gjë e tillë.