Mbi 100 persona të zhdukur dhe të paktën një i vdekur pas përmbytjeve katastrofike në Indinë veriore
Më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën një ka humbur jetën pas një shpërthimi reshjesh (cloudburst) që shkaktoi përmbytje të mëdha në shtetin verior indian të Uttarakhand.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë në distriktin Uttarkashi, pasi një valë masive uji zbret nga malet dhe përmbyti fshatin Dharali të martën, duke zhytur rrugë dhe ndërtesa nën ujë.
Ekipet e ushtrisë janë vendosur në Dharali që prej ditës së martë, ndërsa forcat e tjera të emergjencës dhe zyrtarët lokalë nuk kanë mundur të hyjnë në zonë për shkak të dëmtimit të rrugëve dhe reshjeve të dendura.
Prej disa javësh, shteti malor i Uttarakhand është përballur me reshje të rrëmbyeshme. Veçanërisht i prekur ka qenë distrikti Uttarkashi, ku ndodhet edhe fshati Dharali, me përmbytje të raportuara në disa zona.
Sipas Kryeministrit të Uttarakhand-it, Pushkar Singh Dhami, rreth 130 persona janë shpëtuar deri më tani në këtë distrikt.
Ngjarja ndodhi të martën rreth orës 13:30 me orën lokale (08:00 GMT), kur reshjet ekstreme bënë që lumi Kheerganga të fryhej ndjeshëm, duke sjellë sasi të mëdha uji dhe balte në terrenin kodrinor.
Dharali është një destinacion turistik i njohur gjatë verës, dhe ndodhet rreth 2 km larg bazës së madhe ushtarake në Harsil. Në zonë ndodhet edhe një kamp i forcave paraushtarake të Policisë Kufitare Indo-Tibetiane (ITBP).
Zyrtarët njoftojnë se të paktën 10 ushtarë të stacionuar në bazën e Harsil-it rezultojnë të zhdukur.
Operacionet e shpëtimit po përparojnë me vështirësi për shkak të sasisë së madhe të baltës dhe rrënojave. Reshjet e dendura, të cilat kanë vijuar edhe të mërkurën, po e vështirësojnë më tej ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Shumë segmente të autostradës kryesore janë mbyllur, pasi janë dëmtuar rëndë nga shirat. Rrugët në distriktin Uttarkashi paraqesin çarje të thella dhe të rrezikshme.
Disa ekipe të Forcave Kombëtare dhe Shtetërore të Reagimit ndaj Katastrofave, të vendosura në Gangotri rreth 18 km larg Dharali janë në terren që prej pasdites së së martës, por autoritetet nuk kanë mundur të lidhen me ta për shkak të mungesës së sinjalit dhe ndërprerjeve të gjata të energjisë elektrike.
Departamenti Indian i Motit ka paralajmëruar për reshje të mëtejshme në ditët në vijim dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet në zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut. Në disa zona, shkollat janë mbyllur për arsye sigurie.
Një pjesë e lumit Bhagirathi – që më poshtë shndërrohet në lumin e shenjtë Gang është bllokuar nga balta, duke krijuar një liqen artificial që ka përmbytur zona të gjera, përfshirë edhe një helikopterpad të qeverisë.
Zyrtarët paralajmërojnë se nëse ky ujë nuk largohet në kohë, mund të rrezikojë seriozisht vendbanimet më poshtë në rrjedhën e lumit.
Autoritetet kishin lëshuar disa paralajmërime për reshje gjatë ditëve të fundit, duke i këshilluar turistët të shmangnin udhëtimin drejt kësaj zone.
Dharali, i cili është një ndalesë e rëndësishme verore në itinerarin pelegrinazh Char Dham Yatra, zakonisht vizitohet më pak gjatë sezonit të shirave. Kjo dhe paralajmërimet e hershme besohet se kanë shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Shteti i Uttarakhand-it, i vendosur në Himalajet perëndimore, është i njohur për ndjeshmërinë e lartë ndaj përmbytjeve të rrufeshme dhe rrëshqitjeve të dheut.
Në vitin 2021, mbi 200 persona humbën jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga një shpërthim reshjesh.
Një ndër fatkeqësitë më të mëdha që ka goditur këtë shtet ndodhi në vitin 2013, kur përmbytje dhe rrëshqitje masive shkatërruan fshatra të tëra, veçanërisht në qytetin e Kedarnath-it, i frekuentuar nga pelegrinët hindu. Mijëra persona u morën nga uji, ndërsa shumë trupa nuk u gjetën kurrë.