Maqedonia e Veriut dhe urrejtja institucionale ndaj shqiptarëve – Alarm për Ballkanin

Shkruan: Xhemil Zeqiri
Nga Kumanova, mes tribunave të një ndeshjeje basketbolli, shpërtheu përsëri ajo që është shndërruar në normë të pashkruar në Maqedoninë e Veriut: urrejtja e hapur kundër shqiptarëve. Ishte data 2 gusht 2025, dhe ndeshja miqësore mes përfaqësueses maqedonase dhe asaj rumune u shndërrua në një spektakël të shëmtuar thirrjesh raciste ndaj komunitetit shqiptar, me heshtjen komprometuese të vetë udhëheqësve shtetërorë të pranishëm në sallë, përfshirë kryeministrin aktual Kristian Mickoski.

Kjo nuk është një çështje sporti. Nuk është një “incident”. Është një pasqyrë e qartë e mentalitetit shovinist dhe të pandryshuar të një pjese të madhe të shoqërisë maqedonase, i cili në mënyrë të qëndrueshme gjen mbështetje të heshtur në majat e politikës dhe të institucioneve të këtij shteti.

Nga urrejtja historike te gjenocidi kulturor i heshtur
Thirrjet raciste të tifozëve maqedonas sot janë vetëm një vazhdimësi e një politike shtetërore të margjinalizimit të shqiptarëve, që nga fundi i viteve 1980, përmes përjashtimit, dhunës, dhe diskriminimit. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë pakicë, por popull shtetformues, që megjithatë ka mbetur i trajtuar si “rrezik kombëtar”, si “armik i brendshëm”.

Edhe pas marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 – që i dha fund luftës së lavdishme të UÇK-së për të drejta politike dhe barazi – ky shtet kurrë nuk e zbatoi me përkushtim këtë marrëveshje. Shqiptarëve u premtua barazi, por ajo mbeti letër e vdekur. Gjuha shqipe u mbajt peng nga burokracia; përfaqësimi në polici, ushtri dhe administratë u deformua; dhe krimet e shtetit ndaj shqiptarëve u amnistuan, u harruan ose u justifikuan.

Nga Brodeci te Kumanova – kur shteti sulmon shqiptarët
Në vitin 2007, fshati Brodec u bë skenë e një operacioni brutal policor, me ndihmën e forcave speciale të ardhura nga Shkupi. Me arsyetimin e kapjes së “terroristëve”, u arrestuan e u rrahën publikisht burra shqiptarë, ndërsa mediat maqedonase u angazhuan për të krijuar një klimë frike, sikur Brodeci ishte “strofkë e rrezikshme ekstremistësh”.

Në majin e vitit 2015, Lagjja e Trimave në Kumanovë u rrafshua nga një operacion i përmasave ushtarake, i inskenuar dhe i pahetuar deri më sot. Dhjetëra shqiptarë u vranë, u plagosën apo u burgosën nën akuza të dyshimta. Asnjë zyrtar i lartë nuk u mor në përgjegjësi për këtë operacion të përgjakshëm që tronditi opinionin ndërkombëtar. Por brenda Maqedonisë, ai u portretizua si një “fitore kundër terrorizmit shqiptar”.

Një shtet që mohon të vërtetën – dhe ndihmësit e tij ndërkombëtarë
Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në rajon që nuk është në gjendje të pajtohet me asnjë fqinj, përveç Shqipërisë. Me Bullgarinë ka konflikt identitar, me Greqinë një kompromis të detyruar për emrin, me Serbinë një lidhje të brishtë si mosnjohja e kishes e fes krishtere maqedone, por vetëm shqiptarët janë ata që e kanë njohur, mbështetur dhe ndihmuar këtë shtet të ruajë stabilitetin e tij.

Dhe për këtë arsye, nacionalistët maqedonas na shohin si “tradhëtarë” të ëndrrës së tyre mono-etnike! Nuk e durojnë faktin që shqiptarët janë gjysma e këtij shteti, që flasin gjuhën e tyre, kanë simbolet e tyre, dhe nuk pranojnë të jenë qytetarë të rendit të dytë.

Alarm për Evropën dhe për shqiptarët kudo
Heshtja e institucioneve ndërkombëtare përballë kësaj situate është e turpshme. Nuk mund të ketë integrim evropian pa barazi reale për shqiptarët. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në një shtet që toleron racizmin dhe e mban urrejtjen etnike si pjesë të identitetit të tij shtetëror.