Maqedonia e Veriut dërgoi kontingjent prej 28 ushtarësh në stërvitjen ushtarake “Saber Junction 25” në Gjermani

Një kontingjent nga Maqedonia e Veriut prej rreth 280 ushtarësh me pajisje formacioni, armë dhe automjete, përfshirë automjetet e reja të blinduara të lehta JLTV, sot në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip u dërgua ceremonialisht në stërvitjen ushtarake “Saber Junction 25” që po zbatohet në Hohenfels, Gjermani.

Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, u tha ushtarëve të jenë krenarë që veshin uniformën e ushtrisë dhe që përfaqësojnë vendin para aleatëve.

“Ju uroj shumë shëndet, tregoni se mund të përballemi me të gjitha vendet dhe se mund të tregojmë cilësi”, tha ministri. Ai shtoi se Ministria dhe Ushtria janë të gatshme të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme për çdo sfidë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Sashko Lafçiski, tha se për herë të parë që nga ekzistenca e Armatës, një formacion me një përbërje të tillë, çetë e përforcuar me të gjitha elementët e manovrimit, mbështetjes luftarake dhe vetëmbështetjes, do të vendoset në stërvitje.

“Të gjitha burimet financiare për pjesëmarrje në procesin e planifikimit, përgatitjet, transportin e personelit dhe pajisjeve, si dhe pjesëmarrjen në stërvitje sigurohen nga buxheti i mbrojtjes, gjë që është provë e angazhimit të Ministrisë për përmirësimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të anëtarëve të ushtrisë”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes.

Kontingjenti i RMV-së, i cili është më i madhi deri më sot që merr pjesë në këtë seri stërvitjesh, është pjesë e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë, që përfaqëson një mundësi për përgatitje shtesë para vlerësimit të ardhshëm të gatishmërisë luftarake vitin e ardhshëm, 2026. Përveç zhvillimit të ndërveprimit me aleatët, një nga objektivat kryesore të stërvitjes është të praktikohet metoda e vendosjes së një njësie më të madhe jashtë territorit të vendit përmes zbatimit të transportit strategjik deri në vendin ku do të mbahet stërvitja, si dhe vetëmbështetjes dhe mbështetjes logjistike gjatë zbatimit të stërvitjes.

Një numër i madh aleatësh dhe partnerësh të NATO-s do të marrin pjesë në stërvitjen “Saber Junction 25”, e cila organizohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën.

Kujtojmë se më 15 gusht në Shtip u prezantuan 29 automjete të reja të blinduara të lehta JLTV nga Shtetet e Bashkuara. Dorëzimi i automjeteve është në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Në këtë aktivitet, morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë. Kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Sasko Lafçiski dhe ambasadorja e SHBA-së Angela Agele vizituan anëtarët e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe ishin të pranishëm në demonstrimin e automjeteve të reja.