Lashkoska: Në koordinim me Qeverinë, po punojmë shpejt dhe në mënyrë sistematike për sanimin e hidrosistemit “Gjavato”

Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, sot morën pjesë në një inspektim të gjendjes aktuale të “hidrosistemit Gjavato”, i cili u ndërtua në vitin 2002 për të furnizuar me ujë Liqenin e Dojranit.

Në fakt, “hidrosistemi Gjavato” sipas projektit kryesor, është projektuar me një kapacitet prej 10 pompash puse të zhytura, ku secila pompë pompon 100 l/s, duke mundësuar një kapacitet të përgjithshëm të sistemit prej 1000 l/s, dhe është parashikuar si sistem shumëfunksional, jo vetëm për të furnizuar Liqenin e Dojranit me sasi shtesë uji, por edhe për të ujitur rreth 1000 ha tokë bujqësore në rajonin e Bogdancit-Gjavatos-Dojranit, si dhe për furnizimin me ujë të rajonit dhe për funksionimin e hidrocentralit “Toplec”.

Hidrosistemi ka funksionuar për një periudhë të gjatë me kapacitet optimal dhe ka furnizuar Liqenin e Dojranit me ujë të mjaftueshëm. Por gjatë 3-4 viteve të fundit, për shkak të moskujdesit, ai ka mbetur pa mirëmbajtje të rregullt dhe pa sanim të rrjedhjeve të shfaqura në tubacion, duke bërë që gradualisht të ndalojë furnizimin e liqenit me ujin e nevojshëm.

Zëvendësministrja Lashkoska theksoi se me ndihmën e kryeministrit Mickoski, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si institucioni përgjegjës për hidrosistemin “Gjavato”, tashmë po punon për sanimin e tubacionit dhe për revitalizimin e shpejtë të pompave të zhytura. Për këtë qëllim, MMJPH ka përgatitur zgjidhje projektore dhe janë siguruar fonde për vitin 2025, në vlerë prej 2,000,000 denarë.

Ajo shtoi se puna për sanimin e tubacionit tani më ka filluar dhe sipas planit të dakorduar, gjatë dy javëve të ardhshme do të riparohen dhe aktivizohen shumica e pompave të zhytura, duke ndihmuar jo vetëm Liqenin e Dojranit, por edhe duke zgjidhur problemet e ujit për fermerët lokalë dhe banorët e Dojranit dhe Bogdancit.

Kryeministri Mickoski në deklaratën e tij theksoi:

“Në seancën e ardhshme të Qeverisë do të vendosim që fabrika e pajisjeve dhe pjesëve, në kuadër të ‘REK Bitola’, të demontojë dy pompa, t’i riparojë dhe më pas t’i montojë përsëri. Brenda 10 ditëve nga demontimi deri te montimi, ato do të jenë plotësisht të riparuara.

Gjithashtu, në kohë sa më të shkurtër u dakorduam të instalohen panele solare, sepse faturat për energji elektrike janë 200,000 euro në muaj, ose 2,500,000 euro në vit.”

Ai shtoi: “Me instalimin e këtyre paneleve diellore dhe sistemeve bateri, fuqia e instaluar do të jetë rreth 2 megavat dhe 4 megavat-orë sisteme baterish, duke ulur në mënyrë dramatike faturat dhe kursimet për shtetin do të jenë të mëdha. Fondet e kursyera do të përdoren për mirëmbajtjen e hidrosistemit Gjavato, duke u mundësuar fermerëve të rajonit akses më të madh në ujë për ujitjen e tokave bujqësore.

Kështu, ne si Qeveri po qasemi në mënyrë sistematike ndaj sanimit të hidrosistemit Gjavato, i cili në kohën më të shkurtër do të jetë plotësisht operativ dhe funksional,” – theksoi kryeministri Mickoski.

Lashkoska: Në koordinim me Qeverinë, po punojmë shpejt dhe në mënyrë sistematike për sanimin e hidrosistemit “Gjavato”