Kumanovari zhvatet për 8 vite nga “kamatashat” nga Shkupi – me kërcënime i morën 300.000 euro

Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë sot (05.08.2025) ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër Sh.M. (34) dhe F.M. (37), të dy nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “zhvatje” sipas nenit 258, paragrafi 3 i Kodit Penal.

Në një periudhë kohore prej tetë vitesh, Sh.M. dhe F.M. i kanë marrë me forcë para një qytetari nga Kumanova, duke i bërë vazhdimisht kërcënime serioze për jetën e tij dhe të familjes së tij, me ç’rast kanë përfituar padrejtësisht një shumë të përgjithshme prej 300.000 euro.

Gjatë kësaj periudhe, i dëmtuari kishte marrë 30.000 euro hua nga Sh.M., me marrëveshje që çdo datë 1 të muajit të paguante 16% interes. Deri më tani, në disa raste, përmes transfertave të shpejta të parave dhe edhe personalisht, i kishte paguar gjithsej rreth 300.000 euro.

Më 04.08.2025, sipas një marrëveshjeje paraprake midis Sh.M. dhe të dëmtuarit, ata janë takuar në një lokal që ndodhet pranë një pompe karburanti në Kumanovë, ku i dëmtuari i ka dorëzuar Sh.M.-së 2.000 euro. Pas kësaj, Sh.M. është arrestuar, dhe gjatë kontrollit të kryer, paratë janë gjetur tek ai.

Bazuar në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në shtëpinë ku qëndronin Sh.M. dhe F.M., ku është gjetur dokumentacion i lidhur me veprën penale.