KUMANOVA MIDIS SIMBOLIKËS SË SË SHKUARËS DHE SFIDAVE TË SË TASHMES

Kumanova është dëshmi se historia nuk është thjesht e shkuara, ajo është projekt që
rishfaqet në forma të ndryshme, sa herë që mungon vullneti për ta mbyllur me drejtësi. Për
shqiptarët, kjo është koha për të kaluar nga retorika në organizim, nga pasiviteti në veprim
të matur dhe nga ndjeshmëria ndaj simbolikës, në ndërtimin e një arkitekture të re
politike, e cila i jep fund ciklit të përsëritjeve
Prof.dr. Skënder ASANI
Në historinë e Ballkanit ka qytete që, më shumë sesa hapësira gjeografike, përfaqësojnë gjendje
shpirtërore, momente të kthesës dhe projeksione afatgjata politike. Kumanova është një prej tyre.
Nuk është thjesht një qytet në kufirin ndërmjet realiteteve etnike dhe politike është një kod
simbolik, i mbushur me kujtesë, tensione dhe projeksione. Në tetorin e vitit 1912, ky qytet u
shndërrua në skenën e një projekti gjeopolitik që synonte rikonfigurimin e rendit rajonal, përmes
një paradigme të dhunshme, ku shqiptarët dhe komunitete të tjera u shtynë në margjinat e
ekzistencës institucionale dhe historike.
Më shumë se një shekull më vonë, në një epokë kur duhej të dominonte fryma e barazisë dhe e
bashkëjetesës demokratike, duket se në të njëjtat rrugë të këtij qyteti po zhvillohet një episod i
ngjashëm, me mjete të tjera, por me qëllime të njohura. Fjalori i urrejtjes, retorika përjashtuese
dhe mesazhet alarmante të dëgjuara në ambientet sportive të Kumanovës nuk mund të trajtohen
si episode të izoluara. Ato përfaqësojnë simptomat e një kulture politike që është toleruar në
heshtje, e që tani duket se po del në sipërfaqe me vetëbesim të rrezikshëm.
Gjatë një viti të qeverisjes së re, Kumanova është shndërruar në skenën ku janë mbajtur një sërë
manifestimesh institucionale që, në vend se të promovonin bashkëjetesën, kanë amplifikuar
simbolikën e botës serbe dhe narrativat e saj hegjemone. Kulmi i kësaj qasjeje u pa në
manifestimin në Zebrënjak, ku në mënyrë të organizuar dhe zyrtare u ringjall simbolika
triumfaliste e vitit 1912, përmes një diskursi që afirmon hegjemoninë dhe dominimin e një bote
që e lexon historinë si justifikim për ekskluzionin e tjetrit. Parakalimi i figurave të larta politike,
si Ivica Daçiq, në mënyrë demonstrative, bashkë me shumë ngjarje të tjera të ngjashme, nuk

ishin veprime spontane, por pjesë e një mesazhi të drejtpërdrejtë politik që synon të bindë
votuesin serb se projekti i “botës serbe” po realizohet me sukses edhe në nivel lokal. Në këtë
kontekst, ngjarja e fundit në sallën sportive të Kumanovës nuk është e izoluar apo e rastësishme,
por një akt i mirëkoordinuar, që synon të konsolidojë këtë narrativë përmes heshtjes së
strukturave shtetërore të pranishme në vendngjarje. Kjo heshtje nuk është vetëm mungesë
reagimi ajo është pjesë e kalkuluar e një strategjie legjitimimi të retorikës përjashtuese, që nga
një manifestim i skajshëm po rrezikon të zë vend në qendrën e politikës institucionale.
Reagimi ose më saktë, mungesa e reagimit nga instancat më të larta shtetërore, përfshirë
Kryeministrin, i cili zgjodhi të qëndrojë pasiv përballë një diskursi që minon themelet e
bashkëjetesës, dërgon një sinjal politik të fortë: se gjuha përjashtuese nuk përbën më përjashtim
nga normalja. Kjo heshtje e qëllimshme, e cila përsëritet në raste të tjera ku figurat publike
artikulojnë qëndrime fyese ndaj shqiptarëve, shndërrohet në një politikë të tërthortë të
legjitimitetit të përjashtimit.
Për më tepër, qeveria aktuale, e dalë nga zgjedhjet me një retorikë për rikthimin e shtetit, shumë
shpejt e ka orientuar diskursin dhe veprimin e saj drejt ngushtimit të të drejtave të garantuara nga
Marrëveshja e Ohrit, me tendenca të qarta për ripozicionim strategjik të vendit drejt boshtit
BRIKS, duke sfiduar kësisoj orientimin euroatlantik që është ndërtuar përmes përpjekjes së
përbashkët të të gjitha komuniteteve. Ky realitet nuk mund të lexohet jashtë një kuadri më të
gjerë rajonal, ku projektet alternative ndaj Perëndimit po kërkojnë hapësira të reja ndikimi,
shpesh përmes rehabilitimit të narracioneve të vjetra.
Ngjarja në Kumanovë, pra, nuk është një incident periferik, por një kujtesë e qartë historike. Në
fund të viteve ’80, një ndeshje sportive u bë katalizator për shpërbërjen e Jugosllavisë, duke
dëshmuar se sporti, në shoqëritë e polarizuara, rrallë është vetëm sport. Kur në tribuna
artikulohen slogane me konotacione etnike, kur institucionet heshtin dhe kur heshtja ngatërron
vendosmërinë me neutralitetin, krijohet një klimë ku polarizimi merr fuqi dhe bashkëjetesa
dobësohet.
Në këtë kontekst, paralajmërimi i kryeministrit Hristijan Mickovski për mbështetje ndaj
kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet lokale nuk mund të shkëputet nga pyetja e madhe që shtrohet:
çfarë kërkohet në këmbim? Nëse kjo mbështetje do të përkthehet në kërkesë për heshtje, për
nënshtrim apo për konformizëm, atëherë nuk kemi të bëjmë me një bashkëpunim të sinqertë, por

me një pakt të heshtur për status quo-në, që nuk e sheh shqiptarësinë si partneritet, por si pengesë
për një projekt tjetër politik.
Reagimet e subjekteve politike shqiptare, në vend që të ishin të sinkronizuara dhe të fuqishme,
shpesh u paraqitën të fragmentuara dhe të zbehta, të përqendruara më shumë në menaxhimin e
imazhit sesa në ndërtimin e një strategjie afatgjatë. Ajo që kërkohet sot nuk është vetëm reagim
emocional apo deklarativ është nevoja për një platformë të qartë politike, për një vetëdije të re
shqiptare që njeh historinë, lexon të tashmen dhe përgatit të ardhmen me mjete demokratike,
institucionale dhe me partnerë të besueshëm.
Sepse sfidat e tanishme nuk mund të adresohen me logjikën e viktimizimit të përhershëm. Duhet
kapërcyer paradigma e përgjigjes reaktive dhe ndërtuar një prani aktive, e cila nuk kërkon
privilegje, por garanton barazi. Nuk mjafton më të dënohet një fjalë, një gjest apo një ngjarje
duhet ndërtuar një kornizë që parandalon riciklimin e këtyre fenomeneve dhe garanton
bashkëjetesë reale.
Kumanova është dëshmi se historia nuk është thjesht e shkuara, ajo është projekt që rishfaqet në
forma të ndryshme, sa herë që mungon vullneti për ta mbyllur me drejtësi. Për shqiptarët, kjo
është koha për të kaluar nga retorika në organizim, nga pasiviteti në veprim të matur dhe nga
ndjeshmëria ndaj simbolikës, në ndërtimin e një arkitekture të re politike, e cila i jep fund ciklit
të përsëritjeve.
Sepse e ardhmja nuk i përket atyre që kujtojnë të kaluarën si alibi, por atyre që e kuptojnë atë si
mësim për të mos lejuar që e njëjta histori të shkruhet sërish me mjete të reja, por me pasoja të
njëjta.
Shkup, 04 gusht 2025