Krizë brenda Vetëvendosjes: Ikë nga Qeveria e Kurtit një nga figurat kryesore që e ndihmoi në rritjen e partisë
Zgjedhja e Dimal Bashës në pozitën e kryekuvendarit shkaktoi dorëheqjen e Liburn Aliut nga pozita e ministrit të Infrastrukturës.
Kolegun e partisë ai nuk e ‘duroi’ në këtë karrige dhe e mori këtë vendim, pasi siç tha ai, kjo zgjedhje “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua.”.
Liburn Aliu është një nga figurat kyçe që e ndihmoi Albin Kurtin në rritjen e partisë ndër vite dhe ka qenë në vazhdimësi i afërt me liderin e Vetëvendosjes, raporton Klankosova.tv
Edhe pse nga kjo parti s’ka akoma një reagim, dorëheqja e Aliut po konsiderohet ‘largim i madh’.
Ai ishte njëri nga themeluesit e VV-së, që bashkë me Kurtin dhe Glauk Konjufcën rrugëtuan bashkë qysh nga organizata KAN, e cila më pas u kthye në Vetëvendosje.
“Nga viti 2002 ka qenë ideja e konceptit të vetëvendosjes. Ka qenë koncept që të e kemi pasur në të kaluarën. Kur u pata arrestuar në vitin 1997 pata thënë para gjykatësit serb se dua Vetëvendosje për popullin tim. Ideja e vetëvendosjes ka qenë ajo e cila ka ndërtuar politikisht, pasi që na imponohej kjo ideja e standardeve. Na thonin plotësoni standardet që të mund të uleni në tavolinë me Serbinë, e pastaj të flitej për ndonjë status pa na pyetur ne a dëshirojmë pavarësi, bashkim me Shqipërinë apo tjetër çka”, kishte deklaruar Aliu më herët.
Kujtojmë se para dy vitesh, ndaj tij, kishin filluar sulmet edhe nga kolegët e tjerë.
Vetë Dimal Basha, Haki Abazi dhe Enver Haliti, të gjithë deputetë të VV-së nga Ferizaj, e akuzonin Aliun për mungesë të parimeve./Klankosova.tv