Kosova në alarm/ Paralajmërohet destabilizim nga Serbia

Që nga paslufta, Serbia vazhdimisht ka tentuar të destabilizojë Kosovën me metoda të ndryshme, duke përfshirë edhe ato shoviniste. Për tentimin e destabilizimit ka folur edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në premten, gjatë mbledhjes së 265-të të Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka deklaruar se Kosova po punon për thellimin e partneriteteve me aleatët demokratikë, ndërsa Serbia vazhdon përpjekjet për destabilizim. Megjithatë, sipas tij, institucionet e vendit, duke përfshirë edhe inteligjencën, po i kundërvihen këtyre përpjekjeve me sukses.

Kurti ka përmendur edhe arrestimet e personave përgjegjës për veprimtari kundër Kosovës, si Bojan Jevtiq, i dyshuar për spiunazh, dhe Igor Popoviq, i arrestuar për nxitje të përçarjes ndëretnike.

“Ne po angazhohemi për thellim e forcim të partneriteteve me shtetet aleate, demokratike e paqedashëse, fqinji ynë agresiv, Serbia, po i vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës me dëshmi për aktivitetet e tyre kundër Kosovës – sikurse rastet e

-Bojan Jevtiq – toger në Policinë e Kosovës, i arrestuar me datë 17 korrik 2025, mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti; dhe

-Igor Popoviq – ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, i arrestuar me datë 18 korrik 2025, për nxitje të përçarjes dhe mos durimit ndëretnik”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, a mund të ndikojnë tensionet politike të brendshme në Kosovë në mënyrë të konsiderueshme në përballjen me kërcënimet e jashtme, si ato të pretenduara nga Serbia?

Rexhepi: Akademia e Shkencave duhet të fuqizohet përballë propagandës serbe

Lidhur me këtë, ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, i ka dhënë të drejtë Kurtit, duke kërkuar fuqizimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pasur shumë të drejtë kur thotë se Serbia po i vazhdon përpjekjet për destabilizimin e vendit tonë. Që nga Memorandumi i Shkencave dhe Arteve i Akademisë Serbe, kjo përpjekje po vazhdon. Ata, në njërën dorë, mbajnë Memorandumin, ndërsa në dorën tjetër mbajnë Kishën. Në këtë rast, duhet të fuqizohet Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila, për fat të keq, që nga koha e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, nuk e ka pasur të dëgjuar zërin asnjëherë.

Pra, kjo përpjekje vazhdon dhe do të vazhdojë gjithmonë, derisa Kosova të forcohet dhe të mos shpallet fajtore në Ballkan”, ka thënë ai.

Po ashtu, Rexhepi ka theksuar se tensionet e brendshme politike dëmtojnë rëndë Kosovën, pasi disa analistë dhe individë të papjekur politikisht po japin deklarata që i shërbejnë Serbisë hegjemoniste.

“Ndërsa tensionet politike të brendshme ndikojnë shumë negativisht për Kosovën, sepse nga papjekuria politike disa individë e analistë po japin opinione dhe deklarime që po i çojnë ujë mullirit të Serbisë hegjemoniste. Prandaj, sa herë ka tensione të brendshme, për Serbinë është më lehtë të veprojë kundër Kosovës, me ndihmën e disa partive dhe individëve që interesin privat po e vendosin para interesit kombëtar.

Mosmarrëveshjet politike në Kosovë ndikojnë drejtpërdrejt në dobësimin e përgjegjësisë së institucioneve të sigurisë ndaj kërcënimeve të jashtme”, ka deklaruar ai.

Tutje, Rexhepi ka paralajmëruar se përkeqësimi i tensioneve politike mund të krijojë ndarje dhe pasiguri në shoqëri, të nxitura nga Serbia dhe strukturat e saj brenda Kosovës.

“Sa u përket pasojave të mundshme për sigurinë, në rast se tensionet politike vazhdojnë të përkeqësohen, ato janë të tilla që Serbia, përmes njerëzve të saj në Kosovë, do të përpiqet të krijojë përçarje dhe pasiguri në mesin e popullatës, për shkak të divergjencave që lindin në raste të tilla.

Po e përsëris edhe një herë se, përderisa interesi individual dhe ai i partive politike vazhdon të vendoset përpara interesit kombëtar, do të krijohet një “fushë pjellore” për kërcënime ndaj Kosovës nga Serbia, si dhe për moszhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa për sa i përket sigurisë, nuk mund të flitet për ndonjë rrezik të menjëhershëm. Fjalët e Vuçiqit janë vetëm për konsum të brendshëm politik, sepse përderisa trupat e NATO-s janë të pranishëm në Kosovë, nuk ka arsye për shqetësim në lidhje me sigurinë e vendit”, ka vlerësuar Rexhepi.

Muçiqi: Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës, Kosova duhet të jetë e gatshme

Të njëjtin mendim sikurse parafolësi e ka edhe , opinionisi Ismail Muçiqi, i cili ka kërkuar seriozitet maksimal në organizimin e institucioneve të sigurisë.

“Padyshim, deklarata e Kryeministrit është e qëlluar dhe kërkon seriozitet maksimal në organizimin e brendshëm të institucioneve të sigurisë së shtetit të Kosovës. As në kohën e Millosheviqit propaganda serbe nuk ka qenë kaq e theksuar sa sot. Të gjitha rrymat politike në Serbi janë rreshtuar kundër Kosovës, duke pretenduar se ajo duhet të rikthehet në kuadër të Kushtetutës së shtetit serb. Fatkeqësisht, Kosova po përballet me një klasë politike të papërgjegjshme, e cila qëndron larg zhvillimeve aktuale dhe nuk po merr masat e nevojshme për t’u përballur me çdo formë agresioni të mundshëm nga Serbia”, ka thënë ai.

Sipas tij, problemi kryesor qëndron te klasa politike, e cila po dëmton unitetin e brendshëm që është i nevojshëm në këtë kohë

“Institucionet e sigurisë, deri më tani, kanë treguar përgjegjësi të lartë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, duke e dëshmuar këtë në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, problemi qëndron te klasa politike, e cila, për fat të keq, po e dëmton unitetin e brendshëm që kërkon koha dhe momenti i tanishëm” ,ka potencuar ai.

Në fund, Muçiqi ka thënë se çdo ndërhyrje e Serbisë ndaj Kosovës, në çfarëdo forme, do të shkaktojë pasoja shumë destabilizuese.

“Mendoj se çdo ndërhyrje e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, në çfarëdo forme, do të ketë pasoja tejet destabilizuese. Serbia prej vitesh po përgatitet dhe po armatoset me sisteme të avancuara raketore dhe me artileri të rëndë, me qëllimin e vetëm që, në momentin e përshtatshëm, të tentojë pushtimin e Republikës së Kosovës. Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës, prandaj ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm t’i dalim përballë çdo kërcënimi”, ka përfunduar Muçiqi.