KORRIDORET E SOTME, PËRCAKTOJNË DREJTIMIN E DEKADAVE QË VIJNË

Historia e Ballkanit është plot me skenarë ku gjeografia është përdorur për të ndryshuar
orientime: dje me gjuhë dhe fe, sot me infrastrukturë dhe varësi ekonomike. Asimilimi i
dikurshëm vinte me flamuj të rinj; asimilimi i ri ecën mbi shina hekurudhash dhe kontrata
koncesionesh. Në këtë panoramë, afrimi mes Shkupit dhe Athinës po merr një dimension të
ngushtë dypalësh; dialogu me Sofjen mbetet i ngrirë; dhe me Tiranën mungon ende një
bosht strategjik i përbashkët
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Në Ballkan, historia nuk ecën përpara ajo rrotullohet. Rrugët e reja nuk janë kurrë të reja; ato
janë gjurmët e vjetra të mbuluara me asfalt të freskët. Çdo korridor i shtruar mbi këtë tokë nuk
është vetëm një projekt inxhinierik, por një fije e padukshme që lidh kalkulimet e sotme me
planet e kahershme të fuqive të mëdha. Këtu, ku kufijtë janë vizatuar më shpesh se hartat e
shkollës, asgjë nuk ndërtohet pa një motiv më të thellë se ai që shkruhet në kontrata.
“Korridori 10” i Maqedonisë së Veriut, i paraqitur si arterie zhvillimore, po shndërrohet në një
zinxhir strategjik që ndjek trajektoren e njohur nga shekujt e kaluar: një shteg që dikur lidhte
portet e Mesdheut me zemrën e Evropës Qendrore, e sot përshkon Selanikun, Maqedoninë,
Serbinë dhe Hungarinë, duke krijuar një arkitekturë lidhjesh që shtrihet deri tek sponsorizimet e
Pekinit e Moskës si kundërpeshë ndaj “Korridorit 8” Euro-Atlantik.
Pas vitit 2022, kur lufta në Ukrainë përshpejtoi rrotën e historisë, u ndërtua një unazë shtetesh të
NATO-s rreth Beogradit, me synimin për ta larguar nga orbita e Lindjes. Por Serbia, si në
shekujt XIX dhe XX, e ktheu presionin në trampolinë: fillimisht duke konsoliduar pozitat në Mal
të Zi dhe më pas në Shkup, ku zgjedhjet e vitit të kaluar sollën një konfigurim politik që më
shumë se të hapte dyer, zgjodhi të hapte korridore. Kështu u hap një korridor i ri që nis nga porti
me dominim kinez në Selanik, ngjitet përmes Maqedonisë dhe Serbisë, e përfundon në Hungari
një rrugë që në hartat publike shënohet si ekonomi, por në hartat diplomatike lexohet si
pozicionim strategjik.

Por ndërkohë që Korridori 10 avancon me ritme të përshpejtuara, Korridori 8 projekti më i
rëndësishëm për lidhjen lindje–perëndim dhe për integrimin e Maqedonisë së Veriut në boshtin
euroatlantik ka pësuar një sabotim të hapur. Për 15 vite, në relacionin Kërçovë–Strugë u lëshuan
në përdorim vetëm 15 kilometra, të përfunduar vetëm muajin e fundit. Ky ritëm i ngadaltë nuk
është thjesht paaftësi teknike; ai reflekton një strategji të qëllimshme që favorizon boshtin
veri–jug dhe dobëson lidhjet me Bullgarinë dhe Shqipërinë.
Në vend që të përshpejtojë zhvillimin e Korridorit 8, qeveria e drejtuar nga kryeministri Hristijan
Mickoski ka përqafuar një kurs politik që lidhet ngushtë me interesat e “botës serbe”, duke lejuar
depërtimin e saj në ekonominë dhe infrastrukturën strategjike të vendit. Marrja e një borxhi
miliardësh nga Hungaria, hapja e bankave serbe, investimet e dyshimta në Telekomin shtetëror,
si dhe shtyrja e punimeve në Korridorin 8 përballë përparimeve të dukshme në Korridorin 10 dhe
në hekurudhën veri–jug, tregojnë qartë një orientim politik të koordinuar.
Këto zhvillime nuk janë të izoluara, por pjesë e një trinomi të rrezikshëm nën ndikimin
ruso–kinez, ku Vuçiç, Mickoski dhe Orbán po krijojnë një bosht të ri ndikimi në Ballkan. Nën
pretekstin e zhvillimit, vendi po zhvendoset nga standardet dhe aleancat perëndimore drejt një
zone gri gjeopolitike, ku interesat strategjike të Moskës dhe Pekinit kanë hapësirë të lirë për të
vepruar.
Historia e Ballkanit është plot me skenarë ku gjeografia është përdorur për të ndryshuar
orientime: dje me gjuhë dhe fe, sot me infrastrukturë dhe varësi ekonomike. Asimilimi i
dikurshëm vinte me flamuj të rinj; asimilimi i ri ecën mbi shina hekurudhash dhe kontrata
koncesionesh. Në këtë panoramë, afrimi mes Shkupit dhe Athinës po merr një dimension të
ngushtë dypalësh; dialogu me Sofjen mbetet i ngrirë; dhe me Tiranën mungon ende një bosht
strategjik i përbashkët. Këto boshllëqe, siç ka treguar historia, shfrytëzohen gjithmonë nga ata që
lexojnë hartën më shpejt se të tjerët.
Në këtë kuadër, sinjalet që po qarkullojnë për një sponsorizim të Greqisë si shtytëse e procesit
debllokues eurointegrues të Maqedonisë gjykohen si një përpjekje për të futur BRICS-in në
Evropë nga “dera e vogël”, duke dobësuar pozitën shqiptare dhe bullgare në Ballkan dhe duke
favorizuar koridorin ruso–kinez të linjës strategjike të Korridorit 10.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo nuk është një çështje që mund të ndiqet nga distanca.
Korridoret që vizatohen sot do të përcaktojnë nesër orientimin gjeopolitik të hapësirës shqiptare.
Nëse nuk ndërtohet një qasje e përbashkët strategjike, rreziku nuk është vetëm izolimi nga
boshtet euroatlantike, por edhe integrimi në rrjete ndikimi që shohin Ballkanin si një urë për
interesa të tjera, jo gjithmonë miqësore ndaj nesh.
Publiku sheh asfaltin; diplomati sheh drejtimin. Publiku sheh zhvillim; diplomati sheh orientim.
Dhe kur kapitulli i ardhshëm të shkruhet, nuk do të përmenden vetëm kilometrat e shtruar, por
edhe kujt i shërbyen ato kilometra. Nëse Ballkani nuk e zgjedh vetë itinerarin e tij, atë do ta
vizatojnë të tjerët dhe rrallëherë ato rrugë e çojnë popullin atje ku ai dëshiron të shkojë.
Lobistët e angazhuar nga Serbia për të promovuar konceptin e “botës serbe” janë të njëjtit që
Hristijan Mickoski po i përdor në mënyrë të heshtur, por të qëllimshme, për të ushqyer narrativën
e tij parazgjedhore dhe tashmë qeverisëse mbi “rikthimin e shtetit” një formulë politike që, në
dukje e brendshme, në thelb lidhet me prirje të qarta rajonale. Në peizazhin e ndërlikuar të
lëvizjeve diplomatike, rikthimi në skenë i Kristofer Hill nuk është thjesht rotacion në kalendarin
e posteve, por një lëvizje e menduar mirë në tavolinat ku ndikimi ndërtohet me vite. Hill, i cili në
fund të viteve ’90 shërbeu si ambasador në Shkup dhe deri para disa muajsh mbante postin e
ambasadorit në Beograd, u caktua para pak ditësh nga lobi serb si lobues i interesave të saj në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në faqen e internetit të organizatës jofitimprurëse Pupin’s
Initiative nga Uashingtoni, u njoftua se ish-ambasadori amerikan në Serbi Christopher R. Hill i
është bashkuar kësaj organizate si këshilltar. Kjo organizatë përfaqëson vetëm një nga disa
forume lobimi për krijimin e politikave afirmative të SHBA-së ndaj Serbisë përmes sferave
politike, ekonomike, të sigurisë dhe kulturore.
Në këtë tabllo, lidhjet mes Beogradit dhe Shkupit nuk shfaqen nëpërmjet deklaratave, por përmes
sinkronizimit të mekanizmave të ndikimit që operojnë nën sipërfaqe. Për ata që e lexojnë
politikën si art të menaxhimit të balancave të padukshme, ky është një sinjal për vigjilencë të
shtuar dhe mobilizim të zgjuar të diasporës shqiptare në SHBA, duke mos u mjaftuar me reagime
të vonuara, por duke ndërtuar rrjete të qëndrueshme lobimi që mund të balancojnë një aleancë të
re, e cila po projektohet nën hijen e “korridorit dhjetë” dhe synimeve që kapërcejnë kufijtë
formalë të shteteve.

Orientimi strategjik i rajonit po formësohet sot nga mënyra se si zhvillohen dhe rangohen
projektet infrastrukturore sipas prioriteteve. Korridori 10 po avancon me ritme të shpejta, duke
forcuar një bosht veri–jug nën ndikim të shtuar ruso–kinez, ndërsa Korridori 8, lidhja natyrore
lindje–perëndim dhe ura më e fortë me boshtin euroatlantik, po mbetet në hije.
Për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo situatë kërkon një vizion të
unifikuar që të kombinojë diplomacinë aktive me veprime të koordinuara ekonomike e
infrastrukturore. Përfundimi i Korridorit 8, thellimi i bashkëpunimit me vendet fqinje
euroatlantike dhe shmangia e varësive nga projekte me prirje gjeopolitike alternative janë hapa
thelbësorë për të ruajtur stabilitetin dhe orientimin perëndimor të hapësirës shqiptare. Zgjidhjet e
marra sot do të përcaktojnë drejtimin e dekadave që vijnë.
Shkup, 11 gusht 2025