Pas shumë parregullsive, pritet të anulohet konkursi për pranimin e mjekëve specializantë në Spitalin Klinik të Tetovës, i cili ishte shpallur në kohën e ish-drejtorit Agim Berisha.
Sipas informacioneve jozyrtare që ka siguruar portali TS, përgjigjja përfundimtare nga Komisioni Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative, Procedura nga Marrëdhëniet e Punës dhe Mbikëqyrje Inspektuese në Shkallën e Dytë pritet të çojë në anulimin e plotë të konkursit për pranimin e mjekëve specializantë në Spitalin Klinik të Tetovës.
Ky vendim pritet të miratohet pas vërejtjeve të ashpra të dhëna ndaj ish-drejtorit, i cili sipas të dhënave ka vepruar në kundërshtim me normat ligjore, si dhe për shkak të disa parregullsive të rënda procedurale të evidentuara nga organet kompetente.
Portali TS mëson se shumë kandidatë për specializim, të cilët nuk janë pranuar, kanë dorëzuar ankesa në institucionet përkatëse. Sipas tyre, disa janë përballur edhe me kërcënime për t’u tërhequr nga ankesat.
Nga Spitali i Tetovës ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me këtë konkurs, por vlen të theksohet se konkursi për punonjës administrativ është refuzuar nga Ministria e Financave. Nuk dihet nëse konkursi për motrat medicinale do të kalojë, për shkak të shpalljes së zgjedhjeve lokale, edhe pse ato tashmë e kanë përfunduar provimin administrativ.
Portali TS ka siguruar edhe dëshmi nga ankesat e specializantëve dhe një vendim ku shihet se është anuluar konkursi