Klekovski: Të gjithë qytetarët që mendojnë se janë dëmtuar në kardiokirurgji të paraqesin ankesë, organet kompetente do ta hetojnë

Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë, Sasho Klekovski, mbrëmë bëri apel tek qytetarët që mund të jenë dëmtuar në kardiokirurgji dhe tek të gjithë pacientët e tjerë, që të paraqesin ankesa.

Deklarata e Klekovskit, i cili ishte i ftuar në emisionin “Vesti Plus” në Kanal 5 TV, vjen pas pohimeve të kardiokirurgut Sashko Kedev disa ditë më parë, se në disa spitale private po kryhen ndërhyrje të panevojshme për arsye fitimi, përfshirë stentime dhe operacione. Pas kësaj deklarate, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për formimin e një komisioni me ekspertë nga tre shtete të ndryshme për të kontrolluar punën në institucionet shëndetësore private, si dhe për vazhdimin e kontrolleve në institucionet publike shëndetësore që merren me të njëjtën fushë.
• “Apel për të gjithë qytetarët që janë dëmtuar në Kardiokirurgji dhe për të gjithë pacientët e tjerë që të ankohen zyrtarisht. Të ankoheni, sepse pa ankesa asgjë nuk do të zgjidhet. Po, ju ankoheni tek ju (media), por ju nuk jeni institucion zyrtar për veprim. Ne kemi nevojë për raste konkrete, sepse tani ka mijëra pacientë të stentuar dhe do të jetë punë shumëvjeçare nëse fillojmë të kontrollojmë dosje për dosje. Apeloj që çdo qytetar që është dëmtuar ose mendon se është dëmtuar, të paraqesë ankesë me argumentet e tij. Unë garantoj me përgjegjësi se do ta hetojmë dhe do të japim përgjigje,” tha Klekovski.

Ai theksoi se FSHS nuk ka kontrata për stentim me “Zhan Mitrev” dhe “Sistina”.
• “Kur një ekspert i lartë si doktor Kedev paraqet pohime të tilla, sigurisht duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje. Kjo nuk do të thotë se nuk ka kontrolle të rregullta edhe pa këto deklarata. FSHS ka kontrata me institucione publike dhe private shëndetësore vetëm në fushën e kardiokirurgjisë, jo në fushën e kardiologjisë. Interventat kardiologjike, të ashtuquajturat stentime, kryhen në Klinikën e Shkupit, Spitalin Klinik të Tetovës, në Bitolë, në Shtip, në Spitalin Special në Ohër, dhe sipas të dhënave tona, këto kapacitete janë të mjaftueshme. Për këtë arsye, nuk kemi kontrata për stentime me ‘Zhan Mitrev’ dhe ‘Sistina’. Stentimi shpesh është emergjent dhe duhet bërë menjëherë, ndërsa ndërhyrje të tjera janë elektive dhe mund të caktohen për më vonë,” tha ai.

Klekovski shtoi se Fondi lidh kontrata me institucione private shëndetësore në ato fusha ku nuk ka ofrues ose ku nuk ka kapacitete të mjaftueshme publike.

Ai theksoi gjithashtu se Fondi bën kontrolle të rregullta dhe jashtëzakonshme në të gjitha institucionet shëndetësore me të cilat ka kontratë dhe vetëm për shërbimet për të cilat ka kontratë. Kontrollohen dosjet mjekësore, diagnozat, ndërhyrjet dhe dokumentacioni shoqërues, por vlerësime profesionale për nevojshmërinë e një operacioni mund të bëjë vetëm një komision profesional me ekspertë të fushës.

Në lidhje me ankesat, Klekovski tha se shumica e tyre kanë qenë për ndërhyrje vaskulare dhe për pagesa private nga pacientët që nuk kanë dashur të presin në lista pritjeje. “Nuk ka pasur asnjë ankesë për pjesën profesionale. Nëse do të kishte pasur, do t’i kishim dërguar në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor,” tha ai.

Ai sqaroi gjithashtu se shumica e padive ndaj Fondit kanë ardhur nga spitale të huaja, veçanërisht nga një spital në Freiburg të Gjermanisë, ku pacientët janë dërguar për trajtime me qeliza burimore. “Këto janë procese të trashëguara, disa janë refuzuar, dhe problemi nuk ishte te Fondi, por në komunikimin e pamjaftueshëm mes Fondit dhe spitalit gjerman,” tha Klekovski.