Kica Xhelili – VLEN-it: Nuk jeni përfaqësues të shqiptarëve – nëse heshtni kur fyhet identiteti juaj

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli në qytetin e Kumanovës, në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar këtë si një shfaqje të “mendësisë primitive dhe të kalbur”. Ajo ka kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë heshtjen institucionale, veçanërisht të atyre që përfaqësojnë shqiptarët në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Në një postim në Facebook, Kica Xhelili shkruan:

“Ato që u dëgjuan në ndeshjen e basketbollit në Maqedoninë e Veriut s’ishin thjesht brohoritje, por zhurma primitive e një mendësie të kalbur. E megjithatë, më e neveritshme se kjo zhurmë është heshtja që e shoqëroi.”

Ajo thekson se çdo akt i tillë i nxitjes së urrejtjes meriton reagim të menjëhershëm, sidomos nga përfaqësuesit shqiptarë që janë pjesë e institucioneve shtetërore.

“Heshtja nuk është maturi, është bashkëfajësi. Të jesh në qeveri dhe të mos reagosh kur fyhet identiteti yt, nuk është as politikë, as pragmatizëm – është dorëzim.”

Deputetja nga Kosova ngre alarmin për rrezikun e normalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së reagimit institucional, duke përfunduar me një thirrje të qartë:

“Nuk e di kush prisni të jetë për ne shqiptarët kur nuk jemi për veten?”