Ylli i popit, Katy Perry, ka shpjeguar arsyen pse po vazhdon betejën ligjore kundër Carl Westcott, një veterani amerikan 85-vjeçar, nga i cili kërkon një dëmshpërblim prej disa milionë dollarësh. Në seancën e mbajtur në Los Angeles, këngëtarja 40-vjeçare theksoi se kjo çështje nuk lidhet vetëm me paratë, shkruan LADbible.
Perry është përfshirë në këtë proces gjyqësor që nga viti 2020, kur bleu për 15 milionë dollarë (12.8 milionë euro) një vilë të madhe në Santa Barbara nga Westcott. Ajo dhe i fejuari i atëhershëm, Orlando Bloom, kishin planifikuar që aty të rrisnin vajzën e tyre, Daisy Dove. Por, pak pasi marrëveshja u finalizua, Westcott ndryshoi mendje dhe kërkoi anulimin e kontratës.
Veterani, i cili vetë e kishte blerë vilën vetëm dy muaj më herët për 11 milionë dollarë (9.4 milionë euro), pretendoi se nuk ishte “në gjendje të plotë mendore” gjatë procesit të shitjes. Ai vuan nga sëmundja Huntington, një gjendje trashëgimore që prek lëvizjen, mendimin dhe humorin. Sipas dokumenteve të gjykatës, ai kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale pak para shitjes dhe ishte nën efektin e disa medikamenteve të forta. Për këtë arsye, ai kërkoi që kontrata të shpallej e pavlefshme.
Foto: Katy Perry/Instagram
Megjithatë, gjykata vendosi në favor të çiftit të famshëm. Sipas gjyqtarit, provat tregonin se në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, Westcott ishte “i kthjellët, i përqendruar dhe racional”. Në maj të vitit të kaluar, prona u transferua ligjërisht në një kompani në pronësi të Katy Perryt.
Por beteja ligjore nuk përfundoi këtu. Këngëtarja ngriti një padi kundër Westcott, duke kërkuar 3.25 milionë dollarë (2.79 milionë euro) dëmshpërblim për pamundësinë e dhënies me qira të vilës nga shtatori 2020 deri në mars 2024. Përveç kësaj, ajo po kërkon edhe 2.29 milionë dollarë (1.96 milionë euro) të tjerë, duke argumentuar se prona prej 836 metrash katrorë duhet rikthyer në gjendjen fillestare.
Foto: Katy Perry/Instagram
Në një seancë të zhvilluar përmes Zoom-it, Perry u pyet nëse nga ky proces do të fitonte “para apo diçka tjetër”. Ajo u përgjigj: “Po… drejtësinë”.
Kur avokati i Westcott e pyeti drejtpërdrejt për paratë, këngëtarja tha: “Nëse çështja nuk shkon në favorin tim, unë humbas. Mund të humbas para, të paguaj avokatët, të humbas të ardhurat nga qiraja – të gjitha bashkë”.
Foto: Katy Perry/Instagram
Në gjykatë u zbulua gjithashtu se Westcott kishte marrë vetëm 9 milionë dollarë (7.7 milionë euro) nga çmimi i shitjes, ndërsa avokati i tij pyeti se kush do të paguante pjesën tjetër. Perry u përgjigj: “Mund të jetë një kombinim mes meje dhe Orlandos. Ne jemi familje për gjithë jetën”.
Ndërkohë, Perry dhe Bloom njoftuan në korrik ndarjen e tyre, duke deklaruar se gjatë muajve të fundit kishin ndryshuar mënyrën e marrëdhënies për t’u fokusuar te prindërimi i përbashkët. Ata theksuan se rritja e vajzës së tyre me dashuri dhe respekt do të mbetet gjithmonë prioriteti i tyre kryesor.