Humbja minimale në Champions League, Jeton Beqiri i Shkëndijës: Na kushtoi një gabim, asgjë nuk ka mbaruar

Shkëndija e Tetovës u mposht 0-1 nga Qarabag në ndeshjen e parë për turin e tretë kualifikues të Champions League. Trajneri i shqiptarëve, Jeton Beqiri tha se gabimi te penalltia e shkaktuar vendosi ndeshjen, por ata nuk janë dorëzuar dhe pas një jave në Baku do kërkojnë që të paktën ta dërgojnë ndeshjen në shtesë.

“Falenderoj publikun për atmosferën që krijuan. Mendoj se ishte një ndeshje ku nuk duhej të kishim pësuar një gol të tillë, nga një situatë ku duhej të kishim qenë më të kujdesshëm. Të them të drejtën, Qarabag pati disa raste të mira, por edhe ne i patëm tonat.

Në pjesën e dytë ishim më të mirë se në të parën. Megjithatë, i përgëzoj lojtarët dhe do të përpiqemi të gjejmë gabimin tonë, sepse unë mbaj përgjegjësinë. Do të provojmë çdo mundësi në Baku, sepse humbëm vetëm me një gol, asgjë nuk ka mbaruar.

Nëse luajmë një ndeshje perfekte, mund të arrijmë një rezultat pozitiv në ndeshjen jashtë fushe”, deklaroi Beqiri.

Ndeshja e kthimit midis Qarabag dhe Shkëndijës do të luhet të martën, më 12 gusht, në orën 18:00 në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.