Gjykata aprovon marrëveshjen për pranimin e fajësisë kundër Igor Popoviç për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë kundër Igor Popoviç, i cili është akuzuar se, me dashje dhe qëllim, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, shkruan Reporteri.net.

Lajmin e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale, përmes një njoftimi drejtuar mediave, e cila e ka mirëpritur këtë vendim.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë kundër të pandehurit I.P., i cili është akuzuar se, me dashje dhe qëllim, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, më datë 18.07.2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.
Prokuroria Speciale riafirmon përkushtimin e saj për ndjekjen dhe hetimin e këtyre veprave penale, të cilat cenojnë rëndë vlerat demokratike dhe bashkëjetesën ndërmjet grupeve etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më 5 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se kishte dorëzuar aktakuzën ndaj Popoviqit në këtë gjykatë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, duke treguar se zyrtari serb kishte pranuar fajësinë.

“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, njoftoi Prokuroria.

Prokuroria e akuzon Popoviqin se me dashje dhe qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.

Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”. Ai ishte ndaluar po atë ditë në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë.

Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik./Reporteri.net