Gazeta KOHA në mbështetje të TS: Është i tmerrshëm guximi i policisë për të keqtrajtruar dhe kërcënuar një gazetar vetëm pse “daja i një lideri” është ankuar në polici

Është i tmerrshëm guximi i policisë së Tetovës që vepron me urdhërat e dajallarëve të liderëve!
Shoqëria demokratike matet me respektin ndaj lirisë së medias dhe të drejtës për informim. Thirrja në policinë e Tetovës e gazetarit Nevrij Ademi nga portali “Tetova Sot” është akt shqetësues, që dëmton jo vetëm integritetin e një gazetari, por edhe parimet themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
Është i tmerrshëm guximi i policisë për të keqtrajtruar dhe kërcënuar një gazetar vetëm pse “daja i një lideri” është ankuar në polici.
Gazetarët nuk janë armiq të shtetit, por sy dhe veshë të opinionit publik. Çdo përpjekje për t’i frikësuar apo për t’i heshtur ata, qoftë përmes presionit policor apo ftesave të panevojshme në stacione policore, përbën shkelje të drejtave të njeriut dhe tentim për censurë indirekte.
Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie, ngjarje të tilla vetëm sa e dëmtojnë besimin e qytetarëve te institucionet.
Si redaksi e gazetës KOHA, qëndrojmë fuqimisht në mbrojtje të lirisë së medias dhe solidarizohemi me gazetarin Nevrij Ademi. Heshtja përballë këtyre rasteve do të thotë pranim i frikësimit dhe shkeljes së lirive themelore.