Gadishulli iberik vijon “luftën” me zjarret, shënohet viktima e tretë në Portugali

Që nga fillimi i gushtit, Spanja dhe Portugalia përballen me zjarret pyjore të cilët nuk janë mundur të shuhen.

Zjarret, kanë prekur qytetet Ourense, Leon dhe Zamora në rajonet veriore të Galicias, Castile dhe Leon, dhe Caceres në rajonin jugor të Extremadura, ndërsa thuhet se po vazhdojnë 30 vende.

Zyrtarët e Mbrojtjes Civile dhe të qeverisjes vendore deklaruan se më shumë se 2.300 njerëz në Leon ende po kalojnë natën jashtë shtëpive të tyre. Njerëzit në Leon dhe Zamora kanë protestuar kundër autoriteteve lokale për dy ditë, duke i akuzuar ato për dështim në luftimin e zjarreve.

Njoftohet se 68.000 hektarë, ekuivalente me 10 për qind të sipërfaqes së Ourense, janë dëmtuar nga zjarret që kanë shpërthyer për tre javë dhe se Galicia po lufton me zjarrin më të madh pyjor në historinë e saj.

Për më tepër, në qytezën Jarilla të Caceres ku vazhdon zjarri më i madh në jug, deri më tani janë djegur 15.000 hektarë, ndërsa në përpjekjet për shuarjen e zjarreve marrin pjesë afërsisht 30 avionë dhe helikopterë dhe 500 ushtarë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, i cili vizitoi rajonet më të prekura nga zjarret, njoftoi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme, do t’i shpallë zonat e djegura zonë fatkeqësie.

Më shumë se 340.000 hektarë janë djegur në të gjithë Spanjën që nga fillimi i vitit, afërsisht 310.000 hektarë prej të cilëve janë dëmtuar nga zjarret në gusht. Që nga gushti, më shumë se 33.000 njerëz janë evakuuar, katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 20 persona janë plagosur nga zjarret.

Ashtu si Spanja, edhe Portugalia e vendosur në Gadishullin Iberik, vazhdon betejën e saj kundër zjarreve në pyje.

Zjarret po vazhdojnë në zonat pyjore dhe rurale në gjashtë lokacione në të gjithë vendin. Njoftohet se një person ka vdekur pasi një makineri ndërtimi u përmbys gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarreve në vendbanimin Mirandela.

Numri i viktimave nga zjarret në vend është rritur në tre.