Gadaf Uzairi: “VMRO shpif për të shpërqendruar, Aleancës nuk i duhen privilegjet e pushtetit – ne i kthehemi qytetarit”

Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzair, reagoi ashpër ndaj akuzave të fundit të VMRO-së, duke i cilësuar ato si “korrupsione imagjinare” dhe duke demaskuar praktikën e VMRO-së në politikën e vendit, përcjell PressOnline.al.

“Ndërkohë që paturpësisht na akuzoni për korrupsione imagjinare, harroni gërmadhat e korrupsionit tuaj buzë e mes Vardarit, që nuk mund t’i mbulojë as lumi, as oqeani! Në vend që të merret me realitetin, VMRO mundohet të shpifë për mua dhe për Arben Taravarin, vetëm për të defokusuar temën”, tha Uzairi.

Ai bëri apel që Kryeministri dhe funksionarët pranë tij të përgjigjen hapur mbi një deklaratë të publikuar nga Uzairi: “Le ta thonë qartë: a e ka bërë apo jo Mickoski deklaratën se ‘lufta e 2001 ishte pjesa e parë, tani ka ardhur koha ta luaj unë pjesën e dytë’? Për këtë që unë them janë të njoftuar edhe faktorë ndërkombëtarë relevantë në Maqedoni, nga njerëz që sot rrotullohen afër Kryeministrit”.

Uzairi komentoi edhe mbi diferencën mes Aleancës për Shqiptarët dhe VMRO-së: “VMRO kritikon Taravarin, por në të njëjtën kohë ka qeverisur bashkë me të në nivel lokal dhe deri para pak muajsh në qeveri. Ne jemi ndryshe: nuk pranojmë nënshtrim dhe nënçmim. Kur nuk pajtohemi me degradimin e shqiptarëve dhe largimin nga rruga evropiane, nuk na duhen privilegjet e pushtetit – ne i kthehemi qytetarit.”

Ky reagim i Uzairit vjen pas sulmeve të fundit të VMRO-së ndaj figurave kryesore të Aleancës për Shqiptarët dhe synon të forcojë mesazhin e partisë për integritet dhe përkushtim ndaj komunitetit.