Franca hedh ndihma nga ajri në Gaza

Dyzet ton ndihma humanitare u hodhën këtë të premte për të ndihmuar banorët e Gazës, të cilët po përballen me një uri të madhe, njoftoi Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noël Barrot, duke bërë thirrje që Rripi të “përmbytet me ujë, ushqim dhe ilaçe”.

Duke folur për radion franceze Franceinfo, ai theksoi shkallën e krizës humanitare në enklavën palestineze.

“Nuk ka mbetur asnjë minutë për të humbur”, tha Barrot.

Diplomati më i lartë i Francës pranoi se kjo ndihmë ishte “e pamjaftueshme” për të përmbushur nevojat e popullsisë, shkruan euronews.

Barrot kishte përmendur “katër fluturime që transportonin nga 10 ton ushqim secili”, duke nënkuptuar se do të kryheshin katër rotacione.

Ndryshe, hedhjet humanitare nga ajri rifilluan të dielën, pasi ushtria izraelite njoftoi një pauzë në luftime.

Fluturimet e para nga ajri që shpërndanë ndihmën shumë të nevojshme u kryen nga Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë evropian që mori pjesë, e ndjekur nga Gjermania, Belgjika dhe tani Franca, të cilat kanë krijuar të gjitha një “rrugë ajrore” përmes Jordanisë.