Edhe pas tre javësh, ende asnjë i ndaluar për thirrjet nacionaliste në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë
Kanë kaluar më shumë se tre javë nga ndeshja e basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar më 2 gusht në Kumanovë, por ende nuk është identifikuar asnjë prej personave që bënë thirrje nacionaliste dhe antishqiptare nga tribuna.
Në këtë përballje u dëgjuan brohoritje fyese ndaj shqiptarëve, edhe pse në sallë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Qeverisë të prirë nga kryeministri Hristijan Mickoski. Ngjarja shkaktoi reagime të shumta në opinion, duke u cilësuar si një akt i papranueshëm që dëmton sportin dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u pyet se përse edhe pas disa javësh nuk janë kapur ende fajtorët, u përgjigj se Prokuroria ka formuar lëndë dhe dërgoi porosi që politika të largohet nga sporti.
“Sipas njohurive të mia prokuroria ka nisur procedurë. Mirë që kishte reagim. Sporti nuk është vend për dërgimin e mesazheve politike. Të gjithë ata që e kanë keqpërdorur, nuk i’a mendojnë të mirën këtij shteti. Institucionet duhet t’i gjejnë dhe t’i dënojnë”, theksoi kryeparlamentari Gashi.
Nga Prokuroria e Kumanovës ende nuk kanë dhënë detaje se çfarë po ndodhë me hetimet dhe të dyshuarit. Javë më parë nga kjo prokurori bënë të ditur se në bashkëpunim me SPB Kumanovë janë dhënë udhëzime për hetime, duke përfshirë edhe sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në sallë, me qëllim identifikimin e autorëve. Deri më sot, rezultatet konkrete mungojnë.