Dy shkupjan me kallëzime penale për zhvatje 300 mijë euro ndaj një banori të Kumanovës, e kërcënonin për 8 vite
Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër dy personave nga Shkupi, Sh.M. (34) dhe F.M. (37), nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “zhvatje” sipas nenit 258, paragrafi 3 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit penal, gjatë një periudhe tetëvjeçare, të dyshuarit kanë ushtruar presion dhe kanë kërcënuar një qytetar nga Kumanova, duke i shkaktuar frikë për jetën e tij dhe të familjes së tij. Me këtë, ata kanë përfituar kundërligjshëm dobi pasurore në vlerë prej 300.000 euro, përcjell INA.
Gjatë kësaj periudhe, viktima kishte marrë 30.000 euro hua nga Sh.M., me marrëveshje që më 1-shin e çdo muaji të paguajë interes prej 16%. Deri më tani, përmes transfertave të shpejta të parave dhe në mënyrë direkte, ai i ka dorëzuar Sh.M.-së gjithsej rreth 300.000 euro.
Më 04.08.2025, sipas një marrëveshjeje paraprake ndërmjet Sh.M. dhe viktimës, ata janë takuar në një lokal në kuadër të një pompe karburanti në Kumanovë, ku viktima i ka dorëzuar 2000 euro. Pas këtij takimi, Sh.M. është ndaluar nga policia, ndërsa gjatë kontrollit, paratë janë gjetur në posedimin e tij.
Më pas, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, është kryer bastisje në shtëpinë ku qëndronin të dyshuarit, ku është gjetur dokumentacion i lidhur me veprën penale.