Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur yllin me famë botërore, Dua Lipën në Prishtinë, për t’i dorëzuar shtetësinë e Republikës së Kosovës me dekret presidencial.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani u shpreh se ky është një ‘nder i veçantë’ për vendin, duke theksuar se është një nga personalitetet më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e Kosovës.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua”, ka shkruar Presidentja.
“Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”, shtoi tutje.
Osmani vlerësoi kontributin e Lipës në promovimin e Kosovës ndërkombëtarisht, në fuqizimin e të rinjve dhe në përkrahjen e artit vendor.
“Kosova është gjithmonë krenare me ty”, përfundon Presidentja postimin e saj.
Ky akt simbolik dhe shumë domethënës vjen në një kohë kur Lipa është kthyer në një nga emrat më të spikatur të industrisë muzikore globale, pa harruar kurrë rrënjët e saj shqiptare.
Ajo nesër (e premte) do të performojë në Sunny Hill, festivalin e themeluar nga babai i saj, Dukagjin Lipa.