Deputetja Ajdari akuzon Kasamin: Prona publike në qendër të Tetovës u shit për vetëm 190 mijë euro

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Rina Ajdari, ka ngritur akuza të forta ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë seancës së fundit të Kuvendit informon Tetovasot.

Në seancën e pyetjeve parlamentare, Ajdari shprehu shqetësimin për, siç e cilësoi ajo, shfrytëzimin e pronës publike për interesa private. Ajo deklaroi se Kasami ka shitur një pronë publike në zemër të Tetovës për vetëm 190 mijë euro, çmim ky që, sipas saj, është shumëfish më i ulët se vlera reale e tregut.

“Është e papranueshme që prona e qytetarëve të shpërndahet me këtë lehtësi dhe pa asnjë transparencë. Kjo nuk është vetëm papërgjegjësi, por një dëm i drejtpërdrejtë për Tetovën dhe qytetarët e saj,” – u shpreh deputetja Ajdari.

Ajo kërkoi që institucionet kompetente të hetojnë këtë rast dhe të ndalet, siç tha, “praktika e shitjes së pasurive të përbashkëta për përfitime personale apo politike”.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami, deri më tani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje publike lidhur me këtë akuzë.TS