Bujar Osmani: Shqiptarët nuk do të lejojnë që VMRO t’ua diktojë skenën e tyre politike

“Shqiptarët nuk do të lejojnë që dikush t’ua diktojë skenën politike nga selia e VMRO-DPMNE-së”. Kështu tha sot Bujar Osmani, duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se BDI do të humbë në zgjedhje dhe duhet të kalojë në opozitë konstruktive.

Siç theksoi Osmani, njëherësh kandidat për kryetar i Komunës së Çairi, tmesazhet publike të kryeministrit kanë për qëllim t’u ndihmojnë partnerëve të tij të koalicionit, por pas dyerve të mbyllura zhvillohet komunikim ndryshe.

“Normalisht, kryeministri në publik jep mesazhe të tilla, duke menduar se kështu do t’u ndihmojë partnerëve të koalicionit, mirëpo nuk dërgon mesazhe të tilla në kanalet private. Mesazhe të tjera dërgohen tek BDI që të ngrohen marrëdhëniet, mirëpo qëndrimin tonë e kemi thënë. Të mos mendojmë se BDI do të bëjë pazare për hyrjen në Qeveri”.

Osmani theksoi se shqiptarët janë qytetarë politikisht të vetëdijshëm dhe nuk do të lejojnë të trajtohen si objekte për pazarllëqe. “Dil një, futu një. Shqiptarët nuk do të lejojnë që dikush t’i nënshtronte kështu, që shqiptarët nuk kanë të drejtë vendimmarrjeje, por janë një masë amorfe në të cilën kryeministri vendos si në pazar, si në dyqan, futu VLEN, dil VLEN, do të hyjë BDI. Jo, jo, shqiptarët do të votojnë në zgjedhje dhe vetë do të vendosin kush do t’i përfaqësojë”, tha Osmani, ndërsa tërhoqi një paralele historike me Kosovën. “Kjo bëhej në Kosovë, Millosheviqi nga Beogradi sillte president të Kosovës, Rahman Morinën dhe thoshte ky është presidenti i Kosovës. Shqiptarët në Kosovë formuan institucione paralele, duke dhënë mesazhin se ne nuk do të pranojmë që dikush të na thotë kush do të na përfaqësojë”.

Në kontekst të sondazheve, Osmani theksoi se sipas tyre, Aleanca Kombëtare për Integrim ka epërsi 3 me 1 në raport me VLEN, dhe se pikërisht kjo është arsyeja pse VMRO-DPMNE gjithnjë e më shpesh dërgon sinjale për bashkëpunim. “Dhe mendoj se edhe Mickoski e ka kuptuar këtë dhe prandaj VMRO-DPMNE çdo ditë na dërgon mesazhe për t’i ngrohur marrëdhëniet, sepse sondazhet tregonjnë fitore 3 me 1 të Aleancës Kombëtare për Integrim kundrejt VLEN-it”, tha Osmani.