Bruno Fernandes ka kritikuar bashkëlojtarët e tij ‘dembelë’ pas barazimit 2-2 të Manchester United ndaj Evertonit të dielën mbrëma, në një ndeshje miqësore.
‘Djajtë e Kuq’ fituan turneun ‘Premier League Summer Series’, por paraqitja e tyre ishte shqetësuese, pasi e humbën avantazhin dy herë gjatë lojës.
Duke folur për Sky Sports pas ndeshjes, Fernandes, i cili shënoi golin e parë të United dhe asistoi për të dytin, pranoi me shqetësim se skuadra ende nuk është në nivelin e duhur përpara sezonit 2025/2026.
“Nuk donim ta përfundonim në këtë mënyrë. Paraqitja jonë sot pa top nuk ishte e mirë. Duket sikur ishim pak dembelë dhe këtë duhet ta shmangim”.
“Gjendja po përmirësohet, por nuk jemi ende aty ku duhet të jetë ky klub”.
Sa i përket përplasjes që ai pati gjatë ndeshjes me Illiman Ndiaye të Evertonit, Fernandes tha se ai rast i përket vetëm fushës.
“Është një ndeshje futbolli, gjithmonë ka pasion në fushë. Çfarëdo që ndodh, ndodh. Nuk pati asgjë të tensionuar, është diçka normale, pjesë e lojës”.
“Turneu në SHBA ishte pozitiv dhe i dobishëm për krijimin e lidhjes mes lojtarëve”, ka thënë kapiteni i Unitedit.