Brukseli pezullon kundërmasat pas marrëveshjes tregtare me Uashingtonin

Brukseli njoftoi sot se po pezullon kundërmasat ndaj detyrimeve tarifore të Donald Trump për shkak të marrëveshjes tregtare të arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë muajve të fundit, Komisioni ka përgatitur një listë të produkteve amerikane për të cilat do të vendosen tarifa nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk arrijnë një marrëveshje.

Kjo listë përfshin sojë, avionë, makina dhe mallra të tjera me vlerë 93 miliardë euro.

Pas muajsh negociatash shumë të vështira, Brukseli dhe Uashingtoni nënshkruan një marrëveshje tregtare në fund të korrikut bazuar në tarifa prej 15% për produktet evropiane që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara.

“Komisioni ka nisur sot procedurën e nevojshme ligjore për të pezulluar zbatimin e kundërmasave tona evropiane”, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.

Komisioni Evropian nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të këtyre kundërmasave në rast të një përsëritjeje të mosmarrëveshjes tregtare me administratën Trump.

“Po i lëmë mënjanë (këto masa), por gjithmonë mund t’i rikthejmë”, shpjegoi një zyrtar evropian, i cili kërkoi të mos identifikohej.