Bllokim i pagesave me vlerë miliardëshe për shërbimin PayPal

Për shkak të problemeve me sigurinë në sistemin e pagesave të shërbimit PayPal bankat gjermane kanë bllokuar transaksionet bankare që shkojnë në miliarda. Sikurse njofton gazeta Süddeutsche Zeitung problemi lidhej me urdhërpagesa të drejtpërdrejta përmes së cilave PayPal autorizohet të tërheqë para nga llogaritë bankare të klientëve, pasi ata kanë blerë mallra në internet.

PayPal është deri tani shërbimi më i rëndësishëm i pagesave në internet në tregun gjerman. Transaksionet përmes shërbimit PayPal përbëjnë rreth 30 përqind të pagesave për blerjet në internet.

 

Prej incidentit thuhet se janë prekur kryesisht tregtarët.

 

Mashtruesit synojnë klientët e bankave

Edhe Shoqata Gjermane e Bankave e konformoi incidentin me sistemin e pagesave të shërbimit PayPal. Ditët e fundit kanë ndodhur incidente të ndryshme, ndër të cilat mund të përmendet dërgimi i urdhërpagesave të paautorizuara nga PayPal-i në institucione të ndryshme bankare dhe krediti, deklaroi shoqata. Kjo ka pasur një ndikim të ndjeshëm në transaksionet e pagesave në të gjithë Evropën dhe veçanërisht në Gjermani.

 

Kriminelët vënë shpesh në shënjestër klientët e bankave dhe përdoruesit e kartave të kreditit dhe përpiqen vazhdimisht të mashtrojnë bankat dhe ofruesit e shërbimeve financiare si PayPal për të vjedhur para nga llogaritë bankare të viktimave të tyre duke përdorur urdhërpagesa të rreme.

 

Sipas informacioneve të Süddeutsche Zeitung sistemi i sigurisë së shërbimit PayPal, i cili supozohet të zbulojë dhe të filtrojë përpjekje të tilla për mashtrim, me sa duket gjatë fundjavës së kaluar ka dështuar plotësisht ose në pjesën më të madhe. Si rezultat PayPal-i me sa duket u ka dërguar bankave pa asnjë lloj verifikimi të gjitha urdhërpagesat e paautorizuara./DW